Dimri i ashpër, me reshje të shumta bore dhe temperatura të ulëta që arritën deri -18 gradë celsius, gjatë fillimit të këtij viti, u shoqërua me pasoja të rënda edhe në Rajonin e Korçës. Në një situatë të tillë emergjente dega e Kryqit të Kuq Korçë, e përqendroi veprimtarinë gjatë muajit Janar 2017, në përballimin e kësaj situate të pazakontë. Puna filloi me shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe veshmbathje për individë e familje në nevojë. Përparësi ju dha individëve endacakë. Konkretisht u ndihmuan me ushqime e veshmbathje 10 persona endacakë që jetonin në rrugët e qytetit në temperatura shumë të ulëta. Në bashkëpunim me Bashkinë Korçë dhe Drejtorinë e Shërbimit Social Shtetëror u mundësua strehimi dhe ushqimi i tyre, duke i kaluar nga rruga në mjediset pritëse, me kushte optimale strehimi dhe ushqimi.
Krahas punës për të ndihmuar endacakët e rrugës, Dega e KK Dega Korçë, në bashkëpunim Qendrën e Shoqatës dhe Shoqërinë TAP (Trans Adriatik Pipe Line) ndërmori një operacion të gjerë ndihmë në mbështetje të familjeve në nevojë me ndihma ushqimore, në zonat rurale dhe urbane të Rajonit të Korçës. Operacioni masiv filloi më 13 Janar deri në ditët e para të muajit shkurt. Nga ky operacion përfituan ndihma ushqimore dhe batanije 482 familje, nga të cilat 211 familje në Bashkinë Devoll, 231 familje në Bashkinë Korçë dhe 40 familje në Bashkinë Maliq.
Përveç operacionit të ndihmë midis KKSH dhe TAP-it, dega e Kryqit të Kuq Korçë mbështeti me ndihma ushqimore, 51 familje të evidentuara nga vetë dega.
Krahas punës në përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga dimri i pazakontë, Dega KK Korçë nuk la pas dore veprimtaritë e tjera të planifikuara, si trajnimi për ndihmën e parë me 11 personave të stafit të Qendrës Shëndetësore, Libonik, një bashkëpunim ky i KKSH me Këshillin Kombëtar të Rrugëve. E po kështu ekipit të Ndihmës së Parë të degës në ndeshjen e kampionatit kombëtar të futbollit në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës.
Vëmendje është treguar në realizimin e veprimtarive të programit social, në 4 qendrat e moshës së tretë në mbështetje të 200 të moshuarve. Për herë të parë, dega po shikon mundësinë e realizimit të rikonstruksionit të banesës të një familje në fshatin Rrëmbec të Bashkisë Maliq, kjo falë mbështetjes financiare të një donatori nga SHBA adresuar Degës së Kryqit të Kuq Korçë.
Vëmendje iu kushtua gjithashtu dhe veprimtarive të programit të shëndetit, ku në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Arsimit, Korçë u mundësuan biseda për higjienën personale, seanca mbi HIV/AIDS-in dhe takime me temë “Jo, drogës, alkoolin, duhanin” në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit.
Në përmbyllje me sukses të operacionit humanitar, dhe në realizimin e veprimtarive të programeve të tjera duhet vlerësuar angazhimi i të rinjëve vullnetarë, të cilët me entuziazëm përballuan kushtet e vështira të motit për të qenë pranë njerëzve në nevojë.