Dhurim vullnetar gjaku nga Trupi Diplomatik në Shqipëri

 

Prej tre vitesh ka marrë jetë një traditë e bukur bashkëpunimi ndërmjet Ambasadës Spanjolle në vendin tonë dhe Kryqit të Kuq Shqiptar në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut. Është pikërisht iniciativë e kësaj ambasade, drejtuar Trupit Diplomatik në vendin tonë për të dhuruar vullnetarisht gjak për ata që kanë nevojë që çoi në organizimin sot më 12 qershor, të një seance dhurimi vullnetar të gjakut në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Në numrin e lartë të personave që treguan gatishmërinë për të dhuruar gjak përmendim Ambasadorin e Spanjës, Ambasadoren e Francës, Ambasadorin e Austrisë, drejtuesin e Organizatës së OBSH në Shqipëri, dhe pjesë të stafeve të tyre. Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon ngrohtësisht të gjithë kontribuuesit dhe shpreh bindjen se kjo iniciativë do të zgjerohet akoma më shumë në vijimësi. Dhuruesit, pjesëtar të Trupit Diplomatik u përshëndetën edhe nga Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Ylli Alushi.

Siç dihet prej vitesh Kryqi I Kuq Shqiptar organizon sensibilizimin për dhurimin vullnetar të gjakut në institucione në mbarë vendin, duke qenë kështu një nga aktorët më të rëndësishëm të Aleancës Kombëtare për Dhurimin e Gjakut, një iniciativë kjo e Presidentit të Republikës.

14 qershor është Dita Botërore e dhuruesve të gjakut. Ajo është vendosur të kremtohet për herë të parë si e tillë në vitin 2007, me qëllim sensibilizimin e komunitetit për vlerat e larta humane që mbart akti i dhurimit vullnetarë të gjakut, vecanërisht për sigurinë që paraqet gjaku i dhuruar vullnetarisht dhe për plotësimin e nevojave shumë të mëdha dhe gjithnjë në rritje për gjak; së dyti për të falënderuar dhe motivuar dhuruesit e rregullt individual apo në përbërje të institucioneve që janë pararojë në dhurimin vullnetar të gjakut.

 

Ndajeni me miqte tuaj: