Deklaratë e Presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) Francesco Rocca dhe Sekretarit të Përgjithshëm Jagan Chapagain

Gjenevë, 13 nëntor 2021 – Asnjë vend në botë nuk mund të injorojë ndikimet katastrofike të ndryshimeve klimatike. Të mëdhenj e të vegjël, në nivel global nga Jugu në Veri u mblodhën të gjithë në Glasgow për të trajtuar kërcënimin më të madh të kohës sonë.

Mesazhi ynë gjatë dy javëve të fundit ka qenë i zëshëm dhe i qartë – premtimet nuk mjaftojnë.
Ne mirëpresim angazhimin e marrë për të qëndruar nën 1.5 gradë të ngrohjes globale, por shqetësohemi se angazhimet specifike për të përmbushur këtë objektiv mbeten ende shumë të paqarta.
Jemi veçanërisht të zhgënjyer që COP26 nuk dha financat e nevojshme për të mbështetur komunitetet që ndodhen në vijën e parë të frontit të krizës klimatike. Ndërkohë që u morën angazhime të reja për të rritur financimin për përshtatje të vendeve më të varfra dhe më të cenueshme, ne kemi nevojë për një vullnet shumë më të fortë për të siguruar financa të aksesueshme dhe me cilësi të lartë për të adresuar sfidat që do të jenë shumë më shumë në vitet në vijim. Ne duhet të sigurohemi që ky financim të mbërrijë te komunitetet lokale që janë goditur të parat dhe më keq, në mënyrë që ata të përgatiten, të përshtaten dhe t’u përgjigjen kërcënimeve gjithnjë në rritje që vijnë nga kriza klimatike.
Gjithashtu, nevojitet më shumë mbështetje për të ndihmuar vendet dhe komunitetet që tashmë janë duke luftuar çdo ditë me pasojat për t’ia dalë mbanë; pikërisht atje ku janë arritur kufijtë e përshtatjes dhe janë përjetuar humbje e dëmtime.
Prej vitesh, vullnetarët dhe stafi ynë në mbarë botën janë përballur me këto pasoja, kështu që është një iluzion të besojmë se ne nuk po paguajmë çmimin e mosveprimit.
Ne do të bëjmë pjesën që na takon. Së bashku me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kemi zhvilluar Kartën e Klimës dhe Mjedisit për Organizatat Humanitare, (Climate and Environment Charter for Humanitarian Organizations,) një kartë që ka tashmë mbi 170 nënshkrues. Në këtë kartë ne të gjithë angazhohemi për “të gjelbëruar” operacionet tona dhe për të përshkallëzuar veprimet tona klimatike, duke ndërtuar kapacitetet tona për tu përballur me to kudo ku punojmë.
Si rrjeti më i madh humanitar në botë, i pranishëm në 192 vende, ne do të bëjmë çmos për të mbështetur komunitetet që të përballen me ndikimet shkatërruese të klimës.
Ne kërkojmë të njëjtën gjë nga liderët tanë botërorë, ne nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm. Glasgow hapi derën për diskutime të mëtejshme dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku me qeveritë dhe organizatat e tjera për të gjetur zgjidhje efektive për të adresuar këtë krizë në rritje.
COP26 përfaqëson një hap të vogël në drejtimin e duhur. Ajo që i duhet botës është një hap i madh. Është koha për të kërkuar përgjegjësi prej atyre që na drejtojnë. Na duhen zotime që të realizohen dhe angazhime që të kthehen në veprim.
Miliona jetë janë në rrezik, por akoma nuk është vonë.
Për më shumë informacion, lutemi kontaktoni:
në Londër: Teresa Goncalves, +44 7891 857 056, teresa.goncalves@ifrc.org

Ndajeni me miqte tuaj: