Të shumta ishin dhe kësaj jave veprimtaritë e zhvilluara nga dega në fusha të ndryshme, që nga ato të zhvilluara me fëmijët e kopshteve për Higjienën Personale e deri te kolektivat e Institucioneve që ju përgjigjën thirrjes së KKSH për të dhuruar gjak vullnetarisht.
Kështu, me fëmijët e vegjël të Kopshtit 28, këtu në Tiranë u zhvilluan seanca informuese mbi higjienën personale. Etika e higjienës personale dhe higjienës në komunitet, rëndësia e edukimit të saj që në një moshë të vogël ishin tematikat që u trajtuan falë gatishmërisë së vullnetarëve të degës të cilët i falënderojmë për punën e tyre.
Ndërkohë, në bashkëpunim me “Save the Children” vullnetarë të Ndihmës së parë demonstruan për personelin e Kopshtit 28 dhe atë të Çerdhes 28, teknikat bazë të dhënies së ndihmës së parë për fëmijët e moshës 3-6 vjeç.
Në kuadër të javës së katërt Botërore të Sigurisë rrugore, Dega e KK Tiranë me vullnetarët e Shkollës “Tirana Jonë ” dhe në bashkëpunim me OBSH, ARSH, Policinë e Shtetit dhe Institutin e Shëndetit Publik u organizua një sensibilizim i gjerë i kalimtarëve mbi rreziqet e shpejtësisë dhe masat për trajtim të shpejtë të të aksidentuarve në rrugë me qëllim shpëtimin e jetëve njerëzore.
Ndërsa me nxënësit e shkollës ” Qazim Turdiu”, instruktorja e degës Arjana ka organizuar seanca informuese mbi rëndësinë e Ndihmës së Parë. Ndërsa vullnetarët e shkollës “Qemal Stafa” zhvillojnë seanca informimi mbi HIV/AIDS me bashkëmoshatarët e tyre.
Janë dy kolektiva që i janë përgjigjur thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemik e njëkohësisht: Banka e Shqipërisë dhe “Albacall” kjo e fundit për të tretin vit radhazi. Ne i falënderojmë thellësisht për kontributin e tyre human.
Falënderojmë të gjithë vullnetarët e degës që i dhanë jetë këtyre veprimtarive. Kontributi i tyre është i paçmuar!