Gjenevë, 11 janar 2021 – Tanimë që vaksinat COVID-19 po përhapen në shumë vende të botës, rrjeti më i madh humanitar në botë, Federata Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, paralajmëron edhe një herë se, vetëm vaksinat nuk do të mund t’i japin fund pandemisë. Njerëzit duhet të vazhdojnë të qëndrojnë vigjilentë dhe të respektojnë masat themelore parandaluese që përfshijnë distancimin fizik, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve.
Francesco Rocca, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK), tha:
“Sot kur realisht kjo pandemi vetëm sa po merr vrull, është mirë të kujtojmë se vetëm vaksinat nuk do t’i japin fund luftës ndaj saj. Të gjithë ne, me gjithë optimizmin tonë për rezultatin e vaksinave, duhet të mos harrojmë rreziqet që vijnë nga ky virus, si dhe veprimet që duhet të bëjmë për të mbrojtur veten dhe njëri-tjetrin.
“COVID-19 vazhdon të vras çdo ditë mijëra njerëz. Secili ka përgjegjësinë të qëndrojë vigjilent dhe të zbatojë në praktikë masat parandaluese me qëllim frenimin e përhapjes.
“Të gjithë njerëzit, madje edhe ata që kanë marrë tashmë vaksinë COVID-19, duhet të vazhdojnë të distancohen fizikisht, të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi, të mbajnë një maskë për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth tyre dhe të lajnë mirë duart. Durimi është thelbësor e po kështu dhe angazhimi i gjithësecilit. Aftësia për ta mbajtur njëri-tjetrin të sigurtë dhe të shëndetshëm është realisht në duart tona. ”
Një variant i dytë, 501Y.V2, që është zbuluar kohët e fundit në Afrikën e Jugut, është konstatuar dhe në të paktën gjashtë vende të tjera dhe vjen në një kohë kur kontinenti Afrikan është në kulmin e periudhës më të keqe të COVID-19. Në katër javëve të fundit, Afrika ka përjetuar një rritje të vazhdueshme të rasteve të reja me COVID-19 dhe të vdekjeve.
FNKK&GjK po përgatitet për një rritje të mëtejshme të rasteve me COVID-19 pas periudhës së pushimeve, periudhë gjatë së cilës me miliona njerëz në të gjithë botën udhëtonin dhe mblidheshin me të afërmit dhe miqtë e tyre. Një nga shkaqet e provuara të rritjes së personave të prekur nga kjo pandemi ka qenë grumbullimi i njerëzve nga familje të ndryshme pa maska në një shtëpi. FNKK&GjK paralajmëron që vendet e ndryshme duhet të jenë të përgatitura shumë shpejt të shohin një rritje të mundshme të infeksioneve.
Emanuele Capobianco, Drejtori i Shëndetësisë i IFRC, tha:
“Ne jemi shumë të brengosur për bindjen te një ndjenje false sigurie për shkak të përdorimit të vaksinave, shfaqjes së varianteve të reja dhe pasojat e udhëtimeve përgjatë sezonit të festave. Linja jonë e parë e mbrojtjes kundër virusit mbetet sjellja jonë individuale. Krahas kësaj, aftësitë e qeverive për të ndërmarrë veprime të shpejta bazuar në prova shkencore është gjithashtu thelbësore për ngadalësimin e pandemisë.
“Vaksinat do të ndihmojnë, por nëse të gjithë nuk qëndrojmë vigjilentë dhe nëse bërja e tyre nuk përshpejtohet në të gjithë botën në një mënyrë të drejtë dhe të ndershme, e gjithë bota mbetet në rrezik.”