Alepo. Kryqi i Kuq: “Evakuimi do të duhet të vazhdojë për ditë të tëra. Mijëra njerëz kanë nevojë për ndihmë”

 

 

Shefja i delegacionit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (KNKK) në Siri, Marianne Gasse, ka deklaruar se do të duhen ditë të tëra për të plotësuar operacionin e evakuimit në qytetin sirian të Alepos.

 

Ditën e enjte, datë 15 dhjetor, janë zhvilluar dy evakuimet e para, të drejtuara nga KNKK dhe Gjysmëhëna e Kuqe Siriane (GjKS). Tremijë civilë dhe më shumë se 40 të plagosur, ndër të cilët fëmijë, janë dërguar në vend të sigurt. Kur karvani i tretë po bëhej gati për tu nisur për të evakuuar të tjerë njerëz në nevojë, ishte errur”

 

“Kur hymë në Alepon Lindore për evakuimin e parë, pati të shtëna. Deri në minutën e fundit, nuk ishte e qartë nëse kishin hyrë vërtetë në zonën e sigurt apo jo. Me qëllim që të kalonim ambulancat dhe autobusët, përdorëm një vinç për të larguar rrënojat e ndërtesave që kishin zënë rrugën. Akoma shumë makina vazhdonin të digjeshin, ndërkohë që nga ndërtesat pranë dilte tym. Kishte shumë frikë dhe pasiguri.” tha Marianne Gasser.

 

“Kur mbërritëm në vendin e caktuar, skena ishte e tmerrshme. Njerëzit që gjetëm aty, nuk kishin asnjë zgjidhje. Sytë e tyre ishin plot trishtim. Ishte shumë prekëse. Askush nuk e di sesa persona kanë mbetur në pjesën Lindore dhe evakuimi ndoshta do të dojë ditë për t’u kryer i plotë. Duke punuar në krah të Gjysmëhënës së Kuqe, ne (KNKK) do të vazhdojmë të veprojmë si ndërmjetës neutralë dhe të ndihmojmë mundësisht, sa më shumë njerëz që kanë nevojë,” vazhdoi kreu i delegacionit të KNKK. Me këtë operacion evakuimit, KNKK është autorizuar për herë të parë që nga muaji prill, të hyjë në zonën ku vepron opozita, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme.

 

Të plagosurit, disa prej tyre në gjendje kritike, janë evakuuar me ambulanca drejt strukturave shëndetësore në zonën rurale të Alepos dhe të Idlibit. Rreth 200 të plagosur dhe të sëmurë janë në pritje të evakuimit. Në të njëjtën kohë, rreth tremijë civilë, ndër të cilët fëmijë dhe të moshuar, janë evakuuar me autobusë. Më shumë se 100 punonjës të GjKS dhe të KNKK janë përfshirë në operacionin e fundit.

 

Drejtori rajonal i KNKK, Robert Mardini, tha se ky është vetëm fillimi: “Hapësira humanitare duhet të mbahet e hapur në mënyrë që ky operacion të vazhdojë. Ishte një fillim pozitiv, por ka akoma shumë për të bërë. Nevojat janë të shumta dhe kemi shumë pak kohë në dispozicion: u kërkojmë të gjitha palëve të japin prova të vazhdueshme të vullnetit të mirë, në mënyrë që t’u japim një mundësi të gjithë atyre që janë duke vuajtur në këtë moment”

 

 

Ndajeni me miqte tuaj: