Në datat 5–7 nëntor 2025, Kryqi i Kuq Shqiptar pati kënaqësinë të mikpriste një delegacion të nivelit të lartë të Kryqit të Kuq Austriak, të kryesuar nga Presidenti Prof. Dr. Gerald Schöpfer. Kjo vizitë përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e konsoliduara ndërmjet dy shoqatave dhe dëshmon forcën e një partneriteti afatgjatë, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta humanitare.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni vizitoi Degën e Kryqit të Kuq Shqiptar në Berat dhe selinë qendrore në Tiranë, ku u njoh nga afër me strukturën organizative, shërbimet humanitare dhe projektet që po zbatohen me mbështetjen e Kryqit të Kuq Austriak. Vizitat në terren ofruan mundësinë për të parë konkretisht ndikimin e bashkëpunimit në komunitet dhe rolin e rëndësishëm që vullnetarët dhe stafi i Kryqit të Kuq Shqiptar luajnë çdo ditë.
Bashkëpunimi ndërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Kryqit të Kuq Austriak ka nisur në vitet 1993–1994 dhe është forcuar vazhdimisht ndër vite, duke u shndërruar në një partneritet të qëndrueshëm dhe frytdhënës. Ky bashkëpunim ka kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve institucionale, në përmirësimin e shërbimeve humanitare dhe në mbështetjen e vazhdueshme të komuniteteve më në nevojë në Shqipëri.
Gjatë takimeve, palët shkëmbyen përvoja mbi projektet në zbatim, prioritetet strategjike dhe sfidat aktuale humanitare, duke riafirmuar angazhimin për të vijuar bashkëpunimin dhe për të identifikuar fusha të reja ndërhyrjeje në të ardhmen. U theksua rëndësia e partneriteteve afatgjata, të bazuara në besim, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, si faktor kyç për arritjen e rezultateve të qëndrueshme.
Kjo vizitë konfirmoi edhe një herë lidhjen e fortë që bashkon Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Kryqin e Kuq Austriak prej më shumë se tri dekadash. Një lidhje që shkon përtej projekteve, e ndërtuar mbi solidaritetin, humanizmin dhe miqësinë e sinqertë.


