Më 27 nëntor, në ambientet e Kryqit të Kuq Shqiptar, Presidenti i shoqatës, z. Ylli Alushi, mirëpriti një delegacion të nivelit të lartë nga Kryqi i Kuq Italian, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy shoqatave kombëtare.
Delegacioni i Kryqit të Kuq Italian u kryesua nga Presidenti, z. Rosario Valastro, i shoqëruar nga z. Fabrizio Damiani, Drejtues i Njësisë për Evropën, Azinë Qendrore dhe rajonin Azi-Paqësor, si dhe nga z. Flavio Ciriaci, Delegat Rajonal për Evropën. Vizita u zhvillua në një frymë miqësore dhe bashkëpunuese, duke reflektuar marrëdhëniet e konsoliduara ndër vite ndërmjet dy organizatave.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi projektet aktuale në zbatim, përfshirë fushat prioritare të ndërhyrjes, sfidat e përbashkëta humanitare dhe nevojën për përshtatje të vazhdueshme ndaj konteksteve në ndryshim. U shkëmbyen përvoja konkrete mbi menaxhimin e programeve, rolin e vullnetarëve, përgatitjen për emergjenca dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, me fokus në rritjen e ndikimit në komunitet.
Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik me Kryqin e Kuq Italian, duke theksuar se ky bashkëpunim ka kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve të shoqatës dhe në përmirësimin e shërbimeve humanitare në Shqipëri. Nga ana e tij, Presidenti i Kryqit të Kuq Italian riafirmoi angazhimin për të vijuar bashkëpunimin dhe për të eksploruar mundësi të reja për projekte të përbashkëta në të ardhmen.
Kjo vizitë shërbeu si një hap i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit tradicional ndërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Kryqit të Kuq Italian, duke rikonfirmuar vlerat e përbashkëta të humanizmit, solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.


