4 Tetor 2015 – 94 vjet më parë, u krijuar Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH). Vetëm 9 vjet pas themelimit të Shtetit Shqiptar, dhe vetëm 2 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e cila kishte lënë shumë viktima dhe një mjerim të tejskajshëm, njerëz të mençur menduan të organizojnë në Shqipëri këtë shoqatë, në Shqipërinë e asaj kohe, ku mungesa e shtetit dhe lufta kishin shkaktuar më tepër mjerim se kudo tjetër. Kryetar i parë i KKSH ishte Rifat Frashëri, një mjek me emër në atë kohë dhe një nga krijuesit e mjekësisë shqiptare.
Në rendin e shoqatave, të krijuar në mbarë botën, KKSH ishte shoqata e 36-të, sot ky numër është 189. Ky numër kaq i madh shoqatash, bën që Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të jetë rrjeti më i gjerë humanitar në botë, me mbi 17 milion vullnetarë në gjirin e saj, të cilët japin kontributin e tyre humanitar në ndihmë të njerëzve më në nevojë, në situata konflikti të armatosur, apo dhe në jetën e përditshme.
I krijuar si Kryqi i Kuq, në një vend me shumicë muslymane, ky fakt përbën një tregues fare të qartë jo vetëm të tolerancës fetare, por në radhë të parë të asaj që shoqata konsiderohej për ndihmën vullnetare që jepte. Kujtojmë këtu fjalët e klerikut të mençur dhe të urtë Ismail Efendi Ndroqi, në atë kohë Myftiu i Tiranës, dhe Kryetar i parë i Bashkisë së kryeqyteti, kur i thanë se “personalitete të ndryshme po krijojnë shoqatën e KKSH”, ai u përgjigj “pak rëndësi ka emri që ka, rëndësi ka ajo për çfarë ai themelohet dhe duhet të bëj.”
Vetëm pas dy vjetësh, pas njohjes së shoqatës nga Shteti shqiptar, KKSH njihet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe pranohet me të drejta të plota nga Liga e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, që ishte krijuar vetëm dy vjet më parë, më 1919 në Paris.
I konsoliduar përgjatë mbretërimit të Mbretit Zog duke zgjeruar rrjetin e degëve të tija, dhe veprimtaritë në ndihmë të më nevojtarëve, në shembullin e simotrave të saja më të mira, pas çlirimi të vendit, KKSH do të binte në influencën e vendeve lindore duke e zhveshur shoqatën nga çdo shërbim në ndihmë të më nevojtarëve, e duke e kthyer atë thjesht në një shoqatë për propagandë shëndetësore, për ta pezulluar tërësisht veprimtarinë e saj në vitin 1969, duke ja kaluar të gjithë aktivitetin e shoqatës strukturave shtetërore.
Ndryshimet politike të fund viteve 90, do të sillnin ndër të parat ndryshime, rikthimin e veprimtarisë së KKSH, që rifillon me një vendim qeverie së asaj kohe. Shumë shpejt, strukturat qendrore të Lëvizjes do të viheshin në kontakt me drejtuesit e KKSH, për të sjellë ndryshimet nevojshme në shoqatë, për ta bërë atë, një shoqatë vërtetë në ndihmë të njerëzve në nevojë. Zgjerimi i rrjetit të degëve të asaj, rritja e kapaciteteve njerëzore, materiale e financiare, do të çonin në zgjerimin e gamës së veprimtarive në dobi të njerëzve në nevojë, në mënyrë të veçantë për të prekurit nga katastrofat natyrore apo të shkaktuara nga njeriu, duke u bërë pjesë e iniciativave humanitare në fushën sociale në ndihmë të njerëzve në nevojë, të të moshuarve, grave apo fëmijëve, në fushën e ndihmës së parë apo atë të dhurimit vullnetar të gjakut, duke ndikuar në ndryshimin e mentalitetit të njerëzve për iniciativat humanitare, por dhe në zgjidhjen apo zbutjen e problemeve në vend.
Është e rëndësishme të theksojmë se KKSH, është sot një organizatë e strukturuar mjaft mirë, me një bazë të shëndoshë ligjore dhe dokumentare mbi të cilën bazohet veprimtaria e saj, tërësisht e pavarur në vendimmarrje, por dhe një ndihmëse e pushtetit për çështje humanitare. Ajo gëzon sot, respektin e strukturave më të larta të Lëvizjes ndërkombëtare të KK dhe të GjK, të autoriteteve të vendit, dhe mbi të gjithë të njerëzve të thjeshtë që shohin te KK një aleatë të tyre në momente të vështira.
Presidenti
Magj. Ylli Alushi