Sot, në Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ne festojmë trashëgiminë e Henry Dunant, vizioni i të cilit çoi në krijimin e Lëvizjes mbare botërorë të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe numrin e panumërt të vullnetarëve që ndoqën rrugën e tij. Përkushtimi dhe dedikimi tyre i palëkundur për të ndihmuar këdo në nevojë, në çdo kohë dhe kudo qoftë, në një fatkeqësi natyrore, krizë klimaterike, konflikt, emergjencë mjekësore, apo zhvendosje të popullsisë, gjithmonë në mbështetje të Parimeve Themelore, admirohet në mbarë botën.
Në këtë ditë KKSH organizon dy aktivitete traditë tashmë në kryeqytet.
- U çel për të 26-in vit radhazi, në ambientet e instalacionit Reja, Ekspozita Kombëtare e Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Tema e ekspozitës ishte “Vullnetarizmi nuk njeh moshë”. Synimi i organizimit të këtij aktiviteti është të përhapë tek fëmijët vlerat humanitare si dhe të promovojë tek ata ndjenjën e vullnetarizmit dhe humanizmit.
Gjatë fushatës së informimit në shkolla, janë zhvilluar një sërë takimesh dhe bisedash me nxënësit dhe mësuesit e vizatimit rreth aktiviteteve dhe vlerave humanitare të Kryqit të Kuq. Më pas fëmijët i kanë hedhur përshtypjet e tyre në vizatime të cilat janë paraqitur në ekspozita lokale në 38 degë të Kryqit të Kuq Shqiptar. Numri i shkollave të angazhuara në këtë veprimtari është rreth 250 shkolla 9-vjecare në të gjithë vendin dhe janë dorëzuar përafërsisht 3000 punime. Për më të vlerësuarit nga juria, u shpërndanë certifikata dhe dhurata.
- U zhvillua Konkursi i Ndihmës së Parë në degën Tiranë. Pas një trajnimi disa javor, 15 ekipe vullnetarësh garuan mes tyre mbi teknikat e dhënies së ndihmës së parë. Vullnetarët vijnë nga gjimnaze të ndryshme të kryeqytetit dhe demonstrojnë aftësitë e tyre në aksidente të simuluara nga Kryqi i Kuq. Qëllimi i këtij aktiviteti, nuk është thjesht gara mes të rinjve vullnetarë, por edhe sensibilizimi i qytetarëve mbi rëndësinë e këtyre veprimeve të thjeshta jetë-shpëtuese.
Ceremonia e shpalljes së fituesve u realizua pranë Molit të Henry Dunant tek Liqeni Artificial i Tiranës duke kujtuar kështu edhe veprën e themeluesit të Lëvizjes sonë Ndërkombëtare. Ekipi fitues do të përfaqësojë kryeqytetin në Konkursin Kombëtar të Ndihmës së Parë në muajin Shtator.