8 Maji shënon lindjen e Henry Dunant, themeluesit të lëvizjes së Kryqit të Kuq, si dhe kontributet e rëndësishme të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në të gjithë botën. Henry Dunant u lind më 8 Maj 1828, dhe përpjekjet humanitare dhe vizioni i tij çuan në themelimin e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Lëvizja, e cila bazohet në Parimet Themelore të humanizmit, paanësisë, neutralitetit, pavarësisë, vullnetarizmit, unitetit dhe universalitetit, ka punuar palodhur për të lehtësuar vuajtjet humane, veçanërisht gjatë kohërave të konfliktit, katastrofave dhe emergjencave të tjera. Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe shërben si një mundësi për të festuar frymën e humanizmit dhe për të njohur punën e çmuar që bëhet nga vullnetarët dhe stafi i këtyre shoqatave në të gjithë botën. Është një ditë për të ngritur ndërgjegjësim rreth principeve dhe aktiviteteve të lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, si dhe për të nderuar përkushtimin dhe sakrificat e bëra nga ata që shërbejnë në emër të humanizmit.
Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH), si shoqata më e madhe humanitare në vend, ka vijuar punën duke i qëndruar pranë komunitetit dhe duke u përshtatur shpejt me ndryshimet. Kemi ofruar ndihmë, duke ndërtuar shërbime të reja dhe duke përmirësuar ato aktuale me mbështetjen e partnerëve të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, donatorëve, dashamirësve dhe mbi të gjitha, vullnetarëve tanë të palodhur, të cilët nuk reshtin së treguari humanizmin e tyre në çdo vepër bamirësie që kryejnë pranë komuniteteve në nevojë.
Me rastin e 8 Majit, të shumta ishin aktivitetet e organizuara në kryeqytet. Pranë Maritim Hotel Plaza u çel ceremonia zyrtare e Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe si edhe Ekspozita XXVII Kombëtare e Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Gjatë ekspozitës fëmijët shijuan punimet e bashkëmoshatarëve të tyre nga i gjithë vendi dhe në fund u shpërndanë edhe çmimet fituese. Çmimi fitues shkoi për Arbrin nga dega Korçë i cili në punimin e tij kishte reflektuar asistencën që KKSH ofron për të moshuarit e vetmuar dhe që jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme.
Ndërsa dega Tiranë organizoi Konkursin e Ndihmës së Parë si edhe një shpërndarje ushqimore për familjet më në nevojë. Gjatë konkursit vullnetarët e sapo trajnuar treguan aftësitë e tyre në dhënien e ndihmës së parë dhe nga gjykimet e instruktorëve u përcaktua edhe ekipi fitues i cili do të përfaqësojë Tiranën në Konkursin Kombëtar të Ndihmës së Parë.
Edhe degët e tjera të Kryqit të Kuq Shqiptar organizuan aktivitete të shumta edukuese e sensibilizuese, si edhe shpërndarje ushqimore për familjet më në nevojë me rastin e 8 Majit. Falë kontributit të KKSH, 800 familje në të gjithë vendin morën nga një paketë ushqimore në këtë ditë të shënuar për gjithë Lëvizjen Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Të pranishëm në këto aktivitete ishin Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i KKSH, staf dhe vullnetarë të shoqatës. Programi u sigurua që aktivitetet të pasqyroheshin në disa media në vend si edhe në rrjetet sociale zyrtare. Mediat prezente në aktivitetet e 8 Majit në Tiranë ishin: Syri TV, Ora News, A2 News CNN, RTSH dhe Euronews Albania. Koordinatorët ishin prezentë në dy studio televizive për të përcjellë mesazhet e 8 Majit.
Kjo ditë ishte e mbushur me mesazhe sensibilizuese dhe shpresë dhënëse për të ardhmen. Faleminderit vullnetarëve tanë të palodhur që i japin kuptim misionit human të Kryqit të Kuq Shqiptar si dhe mirënjohje për vullnetarët kudo rreth globit për sakrificat e tyre në kohë tepër sfiduese.
Jemi përherë pranë komuniteteve tona, duke i fuqizuar dhe duke u dhënë shpresë. Të rinjtë tanë vullnetarë janë një burim i vazhdueshëm frymëzimi dhe forca që e çon përpara misionin tonë human! Humanizmi është frymëzimi ynë, drita që na bën të shohim mundësitë, fuqia që na bën të ndjehemi të paprekshëm dhe energjia që na shtyn përpara në rrugën drejt suksesit. Ndaj le t’i bashkohemi këtij misioni sublim duke dhuruar shpresë dhe duke “Mbajtur Gjallë Humanizmin”.
#8May #WorldRedCrossDay #KeepingHumanityAlive