8 MAJ – Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe – Çelet Ekspozitës XXII Kombëtare të Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”

 

 

8 maj – Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe është dhe për Kryqin e Kuq Shqiptar një ditë e shënuar. Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe, është lëvizja më e madhe vullnetare në botë. Në këtë lëvizje mbarë botërore bëjnë pjesë mbi 190 shoqata të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe dhe mbi 17 milion vullnetarë.

Në ambjentet e Muzeut Kombëtar, u çel sot më 8 maj, Ekspozita XXII Kombëtare e Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Ekspozita Kombëtare e Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq” është përmbyllja e një fushate të gjerë që Kryqi i Kuq Shqiptar ndërmerr për përhapjen e vlerave humanitare te fëmijët në promovimin e ndjenjës së vullnetarizmit dhe të solidaritetit në ndihmë të atyre që kanë nevojë, fushatë kjo e filluar që në muajin shkurt dhe që përfshinë 38 degë të KK në mbarë vendin. Pjesë të kësaj fushate janë nxënësit e ciklit të lartë të 252 shkollave 9 – vjeçare në të gjithë vendin.

Në ekspozitën e çelur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar janë ekspozuar rreth 300 punimet më të mira që kanë fituar të drejtën të përfaqësohen në këtë Ekspozitë, nga rreth 3 000 punime në teknika të ndryshme si pikturë e mirëfilltë, akuarel, pastel, vizatim, etj. të ekspozuara në Ekspozitat me të njëjtën temë të degëve të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Në fjalën e tij, Presidenti i KKSH z. Ylli Alushi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, duke u kujtuar fëmijëve se “në këtë ekspozitë janë të gjithë fëmijët janë fitues”.

Gërshetimi i talentit të fëmijëve me idenë që mbartin këto punime na dhanë një veprimtari sa kulturore aq edhe edukative. Tashmë është kthyer në traditë që punimet më të mira të ekspozitës, janë pjesë e kalendarit të vitit të botuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar.

 Kryqi i Kuq Shqiptar

 Kryqi i Kuq Shqiptar është organizata më e madhe humanitare në Shqipëri që vepron si ndihmëse e pushtetit në vend, në përgjigje të fatkeqësive dhe krizave natyrore, sociale dhe shëndetësore. Ai është krijuar në vitin 1921 dhe është anëtar i Federatës Ndërkombëtare që prej vitit 1923. Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, së bashku me Federatën Ndërkombëtare, përbëjnë Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe

Ndajeni me miqte tuaj: