7 ekipe të reja vullnetarësh të Ndihmës së Parë të Avancuar

Përmbyllet me sukses faza e dytë e projektit “Forcimi i Vullnetarizmit në Ndihmën e Parë dhe Përgatitjen për Dizastër”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, me ekspertizën e Kryqit të Kuq Austriak. Në fazën e parë ky projekt ngriti kapacitetet e Kryqit të Kuq Shqiptar në 9 degë qendër Qarku, duke siguruar bazën materiale, kurrikulën dhe duke trajnuar mbi 140 të rinj vullnetarë për ndërhyrjen në raste katastrofash dhe ndihmën e parë të avancuar. Kjo fazë e dytë u zhvillua gjatë periudhës korrik – shtator 2024 në 7 degë të tjera Kryqit të Kuq Shqiptar: Librazhd, Kuçovë, Gjirokastër, Berat, Dibër, Kavajë dhe Lushnje.

Fillimisht nga secila degë u trajnuan 1-2 trajnerë të Ndihmës së Parë të Avancuar të cilët fituan njohuritë teknike por edhe didaktike për mbajtjen e trajnimeve me vullnetarët e tyre në degë. Degët i zhvilluan trajnimet gjatë periudhës korrik – gusht 2024, ku në total u trajnuan rreth 85 vullnetarë nga të shtata degët. Këta të rinj fituan njohuri të rëndësishme sa i takon teknikave jetë shpëtuese të ndihmës së parë të avancuar, si edhe mbi ndërhyrjen në raste emergjencash.

Këto njohuri u demonstruan më 14 Shtator në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë, ku në një simulim aksidenti masiv, vullnetarët e degëve demonstruan aftësitë e tyre në triazh, transport dhe trajtim të të lënduarve. Ata zbatuan protokollin ndërkombëtar të emergjencave, duke ndarë rolet mes tyre dhe duke aplikuar Sistemin e Komandës në incidente për një ndërhyrje efektive dhe të organizuar. Kjo ishte hera e parë që vullnetarë nga degë të ndryshme bashkëpunonin për të arritur një rezultat të përbashkët: Shpëtimin e sa më shumë jetëve!

Jemi krenarë për vullnetarët tanë të përkushtuar të cilët i dedikuan kohë dhe punë kësaj përgatitjeje dhe dhanë më të mirën e tyre ditën e simulimit. Falënderojmë veçanërisht Agjencinë Austriake për Zhvillim për mbështetjen e atyre, si edhe Kryqin e Kuq Austriak për asistencën e vazhdueshme në trajnimet e Ndihmës së Parë të Avancuar.

Tashmë mund të themi se Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë e përgatitur dhe e gatshme për të ndërhyrë në raste katastrofash në 16 degë të saj.

Ndajeni me miqte tuaj: