Kryqi i Kuq i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga tërmeti i datës 21 shtatorit dhe valët e goditjeve që pasuan në vijim. Degët e Kryqit të Kuq në Tiranë, Durrës, Elbasan etj, kanë marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e Komisioneve të Menaxhimit të Emergjencave të prefekturave përkatëse dhe kanë shkëmbyer informacione të nevojshme për situatën e krijuar dhe dëmet e shkaktuara. Nga të dhënat operacionale në terren, rezultojnë të jenë 2662 banesa të dëmtuara nga të cilat 55 banesa të pabanueshme, 111 pallate të dëmtuara, 35 shkolla të dëmtuara, 13 universitete publike dhe private, 2 ura, 2 qendra shëndetësore. Komisionet e specialistëve vazhdojnë të vlerësojnë situatën në terren për secilin objekt.
Në përgjigje të situatës në 2 ditët e para pas tërmetit, dega e KK Tiranë ka shpërndarë 100 batanije për familjet që kanë qëndruar në tenda, jashtë banesave të tyre për shkak të pasigurisë, dhe Dega e KK Durrës ka shpërndarë 20 batanije për familjet e vendosura në tenda dhe 100 kg ushqim bazë për rreth 100 persona të akomoduar në Shtëpinë e Pushimit të Oficerëve në Durrës.
Ndërkohë nga gjendja rezervë e Kryqit të Kuq Shqiptar, për përgjigje në raste katastrofash ka nisur shpërndarja e e pakove ushqimore standard për familjet më të dëmtuara, dhe në gjendje të vështirë ekonomike. Kështu, ditën e Premte, ekipet e vullnetarëve të Degës së KK Tirana pako ushqimore dhe kuti higjienikë standard për 22 familje në zonës e Vorës. Ndërsa në Degën e KK Durrës është bërë e mundur ndihma për 10 familje të prekura nga tërmeti dhe në gjendje të vështirë ekonomikë, në Njësitë Administrative 2 dhe 4, Durrës falë një donacione të Familjes Gurri.
Deri tani janë shpërndarë: 220 kg miell gruri, 44 lt. vaj, 44 kg fasule, 44 makarona, 44 kg sheqer, 44 kg oriz, 88 batanije dhe 22 kuti higjienikë.
Në ditët në vazhdim është planifikuar që shpërndarja të vazhdojë në Durrës, Elbasan, Krujë dhe në zona të tjera të Tiranës.
Me këtë rast bëjmë me dije opinionin publike se nuk ka vend për panik të mëtejshëm, mbasi siç konfirmojnë strukturat përgjegjëse, Instituti i Gjeoshkencës, situata më e vështirë ka kaluar dhe se pasgoditjet janë gjithnjë e më të vogla, deri në qetësimin e situatës. Gjithsesi mesazhi i Kryqit të Kuq Shqiptar ka qenë dhe është “Përgatitu, merr njohuri për mënyrën si të reagosh në situatë tërmeti, për të mos qenë i frikësuar”
Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon dhe shoqatat e Gjysmëhënës sw Kuqe Turke, Kryqin e Kuq Maqedonas, Kryqin e Kuq Gjerman, Kryqin e Kuq Zviceran për gatishmërinë e treguar për të ndihmuar Kryqin e Kuq Shqiptar në veprimtarinë e tij mbështetëse për komunitetin e prekur nga tërmeti.
Kryqi i Kuq Shqiptar