Në javën e ndërgjegjësimit të sigurisë rrugore, që kulmuan me veprimtaritë e shumta të organizuara në Ditën Botërore të Përkujtimit të viktimave të aksidenteve rrugore, degët e Kryqit të Kuq Shqiptar organizuan veprimtari të ndryshme dhe të shumta edukative në të gjithë vendin.
Veprimtaritë u organizuan në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe filialeve të saj, kësaj radhe kishin si qëllim të promovonin sigurinë në rrugë tek fëmijët.
Në Sheshin Italia, pranë stadiumit Air Albania, në piedonalen e qytetit të Elbasanit, në mjedise publike, qendër qytati në Durrës, Korçë, Berat, etj. ekipet e Ndihmës së Parë të degëve në bashkëpunim me policinë rrugore vendore organizuan veprimtari që synonin ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurisë në rrugë, ndërkohë që nderohen dhe përkujtohen viktimat e aksidenteve rrugore.
Këto veprimtari evidentojnë rëndësinë e shërbimeve cilësore të urgjencës në rast aksidenti dhe promovojnë sjelljet e duhura në rrugë, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen apo lëndimet serioze. Pjesë e këtyre veprimtarive u bë dhe publiku i gjerë, i ftuar
të japin mendimin e tij rreth mënyrave se si mund të shpëtojmë një jetë në rrezik.
