Ndihma nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke për familjet e përmbytura
Shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet nga Kryqi i Kuq Shqiptar kanë përfshirë të gjitha zonat e përmbytura. Qëllimi i këtij operacioni është që të ndihmojë 3000 familje në nevojë. 2000 familje do të ndihmohen nga mbështetje e ardhur nëpërmjet Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe dhe 1000 familje nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Turke.
Dje, janë shpërndarë ndihma për 70 familje në Fushë Krujë, pjesë e ndihmave të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Turke. Në shpërndarjen e ndihmave asistoi dhe një ekipi i Gjysmëhënës së Kuqe Turke i kryesuar nga z. Abdulla Tatlici, Zëvendës Shef i Marrëdhënieve me jashtë të kësaj shoqate. Një tjetër shpërndarje do të realizohet sot në zonën e Fierit. Gjysmëhëna e Kuqe Turke po ndihmon me 1125 batanije, 750 kite higjienike dhe 1000 pako ushqimore standard një mujor 20 kg.
Deri tani, në bashkëpunim me pushtetin vendor, janë ndihmuar me ndihma ushqimore dhe jo ushqimore* rreth 800 familje. Më konkretisht janë ndihmuar në 260 familje në Fushë Krujë; 190 familje në Tiranë, Vorë, Valias, Laknas, 230 familje në Fier, Novosele, 12 familje në Vlorë (qytet) dhe 70 familje në Novoselë, në 40 familje në Shijak.
Në shenjë solidarizimi me të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore, shumë shoqata simotra kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Kryqin e Kuq Shqiptar në operacionin e ndërmarrë në ndihmë të familjeve në nevojë.
Kryqi i Kuq Shqiptar
*racion një mujor ushqimor i KKSH përbëhet nga 20 kg miell, 4 kg vaj, kg fasule, 4 kg oriz, 4 kg sheqer, ½ kg kripë, 4 batanije