140 familje ndihmohen në Durrës dhe Bubq të Krujës

Sot, datë 23 dhjetor, Degët e Kryqit të Kuq Shqiptar në Durrës dhe Krujë, kanë organizuar shpërndarjen e ndihmave për 140 familje të prekura nga tërmeti.
Nëse në Durrës, ndihmat e shpërndara për 62 familje të rajonit 2, 3, 4 dhe 5 të qytetit, ishin falë mbështetjes së Gjysmëhënës së Kuqe Turke, ndihmat e shpërndara në fshatin Bubq, ishin pjesë e Apelit të Ndihmës të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.
Çdo familjeje u ndihmua me një paketë të plotë ndihme një mujore të përbërë: nga artikuj ushqimorë (20.5 kg ushqime +20 kg. miell), një kit higjenik familjar një mujor dhe 5 batanije. Vijon shpërndarja dhe në zona të tjera të prekura nga tërmeti…
Gjithsej deri më datë 23 dhjetor Kryqi i Kuq Shqiptar ka shpërndarë 1280 pako ushqimore mujore, 5550 batanije, 1360 kite higjienike mujore, dhe 20700 kg miell.

Operacioni i ndihmave të Kryqit të Kuq vazhdon. Ai është mbështetur fuqimisht nga Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe si dhe Shoqatat simotra të rajonit dhe më gjerë dhe parashikon një mbështetje për 2000 familje për një periudhë një vjeçare. Për këtë, Federata ndërkombëtare ka lëshuar një Apel ndihme për Shqipërinë në shumën e 3 milion Franga Zvicerane, që ka nisur nga zbatimi. 2000 familje do të ndihmohen fillimisht me shpërndarje ushqimore dhe në muajt në vazhdim me një shumë të caktuar të hollash, ndihmë për përballimin e ekononimeve të tyre të dëmtuara nga tërmeti.

Ndajeni me miqte tuaj: