14 shtator 2019 – Dita Botërore e Ndihmës së Parë “Ndihma e parë thyen barrierat e përjashtimit social”

 

14 shtator 2019 – Dita Botërore e Ndihmës së Parë

“Ndihma e parë thyen barrierat e përjashtimit social”

 

Në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë, Kryqi i Kuq Shqiptar inkurajon të gjithë qytetarët që të mësojnë të japin Ndihmën e Parë me qëllim që të ndihmojnë në uljen e numrit të vdekjeve dhe të plagosjeve nga aksidentet qofshin ato aksidente rrugore, në punë apo në kushtet e shtëpisë.

Këtë vit, veprimtaritë e kësaj dite, organizohen me temën ““Ndihma e parë thyen barrierat e përjashtimit social”. Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe është lider në trajnimin mbi Ndihmën e Parë. Këtë vit, ajo kremtoi 100 vjetorin e krijimit të saj në vitin e largët 1919. Kryqi i Kuq Shqiptar është anëtare e kësaj Federate që nga viti 1921.

Njohuritë e Ndihmës së Parë duhet të jenë të arritshme nga të gjithë pa përjashtim, simbol ky i humanizmit që i jep forcë dhe kurajë njerëzve që të shpëtojnë jetë. Disa grupe në nevojë, hasin më shpesh në dëmtime apo sëmundje të papritura apo janë në kontakt me persona që vuajnë.

Është dhe mbetet sfidë edhe për shoqatat e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe përfshirja e këtyre grupeve sa më shumë të jetë e mundur në trajnim e ndihmës së parë. Ndihma e parë në vetvete është një akt humanizmi dhe promovon shpëtimin e jetës në respekt të plotë me diversitetin dhe pa diskriminuar asnjë.

 

“Të gjithë e kanë mundësinë për të mësuar ndihmën e parë dhe për të shpëtuar jetë”!

“Ndihma e parë thyen barrierat e përjashtimit social”!

 

Në vitin 2017, mbi 1.6 milion njerëz janë trajnuar mbi ndihmën e parë në të gjithë botën nga 100 shoqata kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Prandaj Kryqi i Kuq Shqiptar, si pjesë e kësaj nisme globale, inkurajon pa dallim të gjithë qytetarët, si edhe grupet në disavantazh, të mësojnë të japin ndihmën e parë.

 

Pikërisht, më 14 Shtator, në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë, do të jenë rreth 400 vullnetarë nga të 38 Degë të Kryqit të Kuq Shqiptar në vend, që do të konkurrojnë në Konkursin e XXI Kombëtar të Ndihmës së Parë, që do të organizohet në sheshet kryesore në qendër të Tiranës. (Sheshi te “Ushtari i Panjohur”, Pedonale, Piramida, etj.)

Nëpërmjet demonstrimeve dhe simulimeve të situatave të ndryshme të aksidenteve, në rrugë, punë, shtëpi, shkollë, etj., do të përcillet mesazhi se çdokush është i aftë të japë ndihmën e tij, mjafton që të jetë i trajnuar mbi ndihmën e parë.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: