14 Qershor, është dita botërore e dhuruesve vullnetarë të gjakut. Kryqi i Kuq Shqiptar, prej disa vitesh, organizon në respekt të kësaj dite një fushatë informuese, sensibilizuese, rekrutuese dhe mbajtjeje të dhuruesve të rregullt të gjakut.
Slogani i fushatës këtë vit “Diku për Dikë; Dhuro Gjak; Shpërnda Jetë!” do të shoqërohet dhe nga slogane të tjera si: “Dhuroni Gjak Shpëtoni Jetë!”, “ Më shumë gjak më shumë jetë!”, “Gjak i ri për të gjithë botën”, “Dhuro gjak, dhuro tani, dhuro shpesh!”. Objektivi i fushatës është i qartë: të arrijmë që vetëm në dy javë të kemi 1200 dhurime.
Në funksion të këtij objektivi, është bërë një punë mjaft e madhe sensibilizuese duke shpërndarë materiale promocionale për publikun e gjerë dhe personelin e institucioneve që i janë bashkangjitur iniciativës për të dhuruar gjak vullnetarisht, ndërkohë që në Tiranë janë vendosur në hapësirat qytetëse 19 CTL.
Rezultat i këtij sensibilizimi janë dhe organizimi i seancave të dhurimit me qytetarë, punonjës të institucioneve të ndryshme dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq çdo ditë në Tiranë dhe një deri dy seanca në degët e Kryqit të Kuq.
E nisur dy javë më parë, më datën 1 Qershor, fushata kulmon më 14 qershor, me një sërë veprimtarish organizuar të organizuara në Degët e KK dhe në Tiranë. Kështu, në Parkun Rinia do të ngrihet Çadra e madhe për të dhuruar gjak për publikun e gjerë, që do të qëndroj e hapur për publikun e gjerë nga ora 9.00 deri në orën 14.00. Grupe të vullnetarëve të degës së KK Tiranë do të jenë të angazhuar në sensibilizimin e publikut duke shpërndarë materiale promovuese.
Ambasada e Republikës së Spanjës i është bashkuar iniciativës së Kryqit të Kuq Shqiptar dhe do të organizojë nesër datë 14, ora 9.00 një seancë dhurimi gjaku për personelin e saj. Në seancë është ftuar të dhurojnë gjak dhe personeli i ambasadave të vendeve të tjera të akredituara në vendin tonë.
Ndërkohë të gjitha Degët e KK do të vendosin stendat me materiale promovuese, foto nga veprimtaritë e organizuar dhe seancat e dhurimeve.
Fushata ka gjetur bashkëpunimin e medias lokale dhe asaj qendrore, bashkëpunim që shpresojmë shumë do të reflektohet dhe në pasqyrimin e veprimtarive të shumta të organizuara nesër, më 14 Qershor, në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut.
Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon të gjitha institucionet shtetërore dhe private, që j janë bashkuar iniciativës për të dhuruar gjak vullnetarisht dhe veçanërisht dhuruesit vullnetarë të Gjakut