14 Qershor, Dita Botërore e dhuruesve të gjakut 2015 – përcillet me logon: “Faleminderit, më shpëtuat jetën”

Çdo vit, më 14 Qershor, në shumë vende të botës kremtohet Dita Botërore e Dhuruesve të gjakut. Ngjarja shërben për të falënderuar dhuruesit vullnetare të gjakut për dhuratën e tyre jetë- shpëtuese dhe për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës për dhurime të rregullta me qëllim sigurimin e cilësisë, sigurisë dhe mjaftueshmërisë për gjakun dhe produktet e për pacientët në nevojë.

Prej disa vitesh, kjo ditë është kthyer në një pikë referimi për Kryqin e Kuq Shqiptar që organizon një fushatë mbarëkombëtare në fushën e dhurimit vullnetar dhe pa pagesë të gjakut. Nën moton “Dhuro Falas, Dhuro Shpesh. Dhuro Gjak!” Kryqi i Kuq Shqiptar organizoi fushatën sensibilizuese në 39 degë të tij.

Mesazhi “Ju Faleminderit që më shpëtuat Jetën” u përcoll me të gjithë mënyrat dhe mjetet publicitare në vend. Me qindra vullnetarë, të organizuar, shpërndanë materiale informuese dhe sensibilizuese si fletëvolante, fletëpalosje, postera për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht tek të rinjtë.

Objektivat e fushatës ishin : të falënderojë dhuruesit vullnetar të gjakut për dhuratën e tyre jetë-shpëtuese; të promovojë dhurimin vullnetar të gjakut rregullisht; të rrisë kujdesin ndaj dhuruesve vullnetar dhe t’i motivojë që të dhurojnë rregullisht. Në fushatë u përfshinë dhe Kryeministri i vendit z. Edi Rama,  ndërkohë që nga qyteti i Shkodrës, Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqja organizoi një fushatë sensibilizimi duke dhuruar dhe vetë gjak me të rinjtë shkodran.

Me mbështetjen e Autoritetit te Mediave Audiovizive u transmetua spoti publicitar nga të gjithë TV qendrore dhe lokale, shtetërore dhe private, u transmetuan dhjetëra titra, u organizuan katër emisione në TVSH, Albanian Skreen, Skan TV dhe A1 Report. Ndërkohë që një kontribut të madh dhanë mediat e shkruara si Gazeta Panorama, Gazeta Shekulli dhe Gazeta Shqip. Kompania Agna Group vendosi falas posterat City Light në vende publike.

Vetëm në periudhën 1-14 Qershor, si rezultat i fushatës u angazhuan në dhurim gjaku 18 degë të KK dhe u rekrutuan mbi 500 vullnetarë, ndërsa u mblodhën 454 njësi ose 25% më shumë se vitin e kaluar.

Në mbyllje të fushatës, aktiviteti i rëndësishëm ishte bashkëpunimi i Kryqit të Kuq Shqiptar me Federatën Shqiptare të Futbollit. Falë këtij bashkëpunimi, në ndeshjen e futbollit Shqipëri Francë më 13 qershor, u përcoll mesazhi i falënderimit për dhuruesit vullnetar nëpërmjet bluzave të veshura nga fëmijët që shoqëronin futbollistwt e Kombëtares Shqiptare dhe Kombëtares Franceze. Jehona e këtij aktiviteti u transmetua edhe nga mediat e huaja.

Qëllimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që deri në vitin 2020, të sigurohet furnizimi me gjak 100% nga dhurues vullnetarë pa pagesë. Nëpërmjet kësaj fushata vendi ynë bëri një hap përpara në arritjen e këtij qëllimi strategjik global.

Me këtë rast Kryqi i Kuq falënderon të gjithë institucionet, mediat dhe kompanitë që kanë kontribuar fuqimisht për ndërgjegjësimin e publikut si dhe një falënderim i veçantë shkon për të gjithë dhuruesit vullnetar të gjakut.

Kryqi i Kuq Shqiptar

 

Ndajeni me miqte tuaj: