Ju ftoj të gjithëve të mposhtim frikën apo indiferencën dhe të ndërtojmë solidaritetin, për të dhuruar gjak për ata që kanë nevojë!
Në Ditën Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut dhe në kuadër të nismës “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, anëtarë të Kabinetit dhe zyrtarë të administratës së Institucionit të Presidentit të Republikës, si edhe dhjetëra qytetarë, u solidarizuan sot me kauzën humane dhe dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve me talasemi dhe njerëzve, që kanë nevojë jetike për të.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, çmoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” pesë dhurues të rregullt të gjakut në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar si dhe në vlerësim të dedikimit, dhembshurisë dhe humanizmit të treguar për të ndryshuar e shpëtuar jetë njerëzish.
Gjatë dekorimit të zonjave Luljeta Hidi dhe Albana Pergjini, zotërinjve Aleksandër Markaj, Eglent Bici dhe Artur Bakiu, Presidenti Meta vuri në dukje modelin që ata iu kanë ofruar të rinjve tanë, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për qytetarët shqiptarë.