14 Qershor 2021 – Dita Botërore e Dhurursve të Gjakut. Mbyllet fushata promocionale e Kryqit të Kuq Shqiptar

Në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua sot seanca përmbyllëse e fushatës promocionale të Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin vullnetar falas të gjakut.

Prej disa vitesh, kjo seancë përmbyllëse organizohet në bashkëpunim me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri, të institucioneve të ndryshme, vullnetarët e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe publiku i gjerë. Këtë vit, objektivi i fushatës ishte sigurimi i 1000 dhurimeve në të gjithë vendin.

Slogani i Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut këtë vit ishte “Që zemra e botës të vazhdojë të rrahë, dhuro gjak, dhuro jetë”, një slogan ky që thekson kontributin që dhuruesit e gjakut japin për të shpëtuar jetë dhe ruajtur shëndetin.

Le t’i bashkohemi kësaj thirrje për të dhuruar gjak rregullisht për të kontribuar për një shëndet më të mirë, për më tepër në një situatë pandemie COVID-19, kur nevojat janë të mëdha. Pavarësisht kufizime në lëvizjeve dhe sfidave të tjera, gjithnjë e më shumë dhuruesit e gjakut kanë vazhduar të dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë dhe të sëmurët që kanë nevojë për gjak. Kjo përpjekje e jashtëzakonshme, për më tepër në kohë krize tregon rolin e rëndësishëm të dhuruesve vullnetarë të gjakut të mirë-organizuar, të përkushtuar, në sigurimin e sasive të nevojshme dhe të sigurta të gjakut në periudha normale dhe emergjente.

Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon të gjithë dhuruesit e gjakut për kontributin e tyre në plotësimin e nevojave për gjak dhe për ndërgjegjësimin e popullsisë për nevojën e dhurimit të rregullt dhe vullnetar papagesë të gjakut.

Kryqi i Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: