12 Shtatori – Dita Botërore e Ndihmës së Parë

12 shtatori, Dita Botërore e Ndihmës së Parë, u shënua me aktivitete sensibilizuese nga degët e Kryqit të Kuq Shqiptar. Me moton , “Ndihma e Parë në Situata Migrimi” u zhvilluan demonstrime praktike, simulime të situatave emergjente dhe këshilla për qytetarët ishin në qendër të aktiviteteve të zhvilluara nga vullnetarët e Kryqit të Kuq Shqiptar, në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e reagimit të duhur në momentet e para të një emergjence.

Përmes demonstrimeve praktike, qytetarëve i’u prezantuan mënyrat bazë të reagimit në situata të ndryshme emergjente, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së qetësisë, veprimit të shpejtë dhe njohjes së procedurave bazë të Ndihmës së Parë.

Aktivitetet synuan t’i përcjellin komunitetit një mesazh të thjeshtë, por të rëndësishëm që çdo person mund të gjendet përballë një situate emergjente dhe njohuritë bazë për Ndihmën e Parë mund të bëjnë diferencën, madje edhe mes jetës dhe vdekjes.

Nëpërmjet këtyre nismave, Kryqi i Kuq Shqiptar vijon të promovojë rëndësinë e edukimit dhe përgatitjes së qytetarëve për përballimin e situatave emergjente, duke theksuar se një njohuri e thjeshtë, një veprim i shpejtë dhe i duhur mund të shpëtojë një jetë.

“Ndihma e Parë për këdo, kudo”