Më 4 Tetor 2022 u mbushën 101 vite nga themelimi i Kryqit të Kuq Shqiptar. Pikërisht në këtë ditë degët e Kryqit të Kuq Shqiptar me vullnetarët e tyre organizuan një sërë aktivitetesh në kujtim të këtij përvjetori.
“Ne jemi njerëzit e Kryqit të Kuq Shqiptar që e bazojmë punën tonë në humanizëm dhe në vlerat humanitare. Të qenit së bashku me Kryqin e Kuq Shqiptar na lejon t’i shërbejmë popullit tonë dhe të jemi të vlerësuar për kontributin tonë duke u rritur personalisht dhe duke u zhvilluar profesionalisht. Vlerat tona humanitare janë themeli i veprimeve dhe vendimeve tona. Si pjestarë të Kryqit të Kuq, ne jemi të përkushtuar të veprojmë me respekt dhe dinjitet duke synuar cilësinë, sigurinë dhe gjithëpërfshirjen në shërbimet tona transparente, te pershtatshme dhe efektive. Gjithçka që themi dhe bëjmë është frymëzuar nga Parimet Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Kemi kënaqësinë të ftojmë më shumë vullnetarë të bashkohen me ne”