1 Qershor është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.

Fëmijët në nevojë janë një nga grupet shenjë të përcaktuara në objektivat e Kryqit të Kuq Shqiptar për t’u ndihmuar.

Pikërisht për këtë degët e Kryqit të Kuq Shqiptar, kanë planifikuar dhe realizuar veprimtari të shumta dhe nga më të ndryshmet për fëmijët në nevojë, para dhe në këtë datë. Janë pikërisht vullnetarët e Programit Social por jo vetëm ata që u kanë dhënë jetë këtyre veprimtarive. Në qendër të këtyre veprimtarive ishin fëmijët jetimë në komunitet dhe në qendrat rezidenciale, fëmijët që vuajnë mungesën e gjakut për shkak të sëmundjes së talasemisë.

Shumë nga degët u kthyen në qendra për organizimin e festave me këtë kategori fëmijësh, ashtu si dhe në shumë qendra rezidenciale vullnetarët organizuan festa për fëmijët. Një e tillë ishte veprimtaria e zhvilluara në “Shtëpinë e foshnjës” Vlorë,  nën moton “Askush nuk është vetëm…”

Ndërsa në degën e KK Tiranë, në Qendrën Sociale të degës. u organizua për fëmijët në nevojë, pa përkrahje, në kushte shëndetësore të vështira një festë e madhe falë dhe bashkëpunimit me Institucionin Financiar NOA. Fëmijët festuan, kërcyen, luajtën me njëri tjetrin, u gëzuan. Në fund për të gjithë fëmijët u shpërndanë dhurata dhe ndihma ushqimore familjare.

Ndërkohë, studentët dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë. Janë studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës dhe të Universitetit Epoka që ju përgjigjën thirrjes së Degës së KK Tiranë për të dhuruar gjak vullnetarisht. Nuk ka dhuratë më të bukur në prag të 1 Qershorit, Ditës Botërore të Fëmijëve.

Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon të gjithë donatorët që kontribuuan për këta fëmijë, por dhe të gjithë ata që dhuruan gjak vullnetarisht për fëmijët talasemikë, si dhe të gjithë vullnetarët e Kryqit të Kuq që i dhanë jetë këtyre veprimtarive!

#RedCrossAlbania

Ndajeni me miqte tuaj: