KRYQI I KUQ SHQIPTAR

Ne jemi shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri e themeluar rreth njëqind vjet më parë më 4 tetor të vitit 1921. Në vitin 1923, në një kohë që ekzistonin vetëm 37 Shoqata të Kryqit të Kuq në botë. Që nga ajo kohë, Kryqi i Kuq Shqiptar është anëtar i Federatës Ndërkombëtare (në atë kohë Lidhja) e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Me një aktivitet të lavdërueshëm para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, Kryqi i Kuq Shqiptar krijoi profilin e tij si një Shoqatë moderne e Kryqit të Kuq falë një bashkëpunimi të rregullt me ​​shoqatat më të zhvilluara të Kryqit të Kuq të asaj kohe.  Pas luftës, shteti ia hoqi gradualisht Kryqit të Kuq Shqiptar një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij dhe zvogëloi kapacitetet e tij operacionale, si pasojë Shoqata Kombëtare humbi identitetin e saj duke u bërë vetëm një shtesë e propagandës shëndetësore, tërësisht e varur nga institucionet shtetërore, të cilat me një vendim arbitrar të vitit 1969 e pezulluan përfundimisht edhe zyrtarisht, kështu që Kryqi i Kuq Shqiptar pushoi së ekzistuari për më shumë se 20 vjet.

Në fillim të viteve ’90, Kryqi i Kuq Shqiptar rifillon aktivitetin e tij duke krijuar një bazë të plotë ligjore si dhe një strukturë organizative, e cila është konsoliduar vazhdimisht. Shoqata jonë Kombëtare u njoh nga Kuvendi i Shqipërisë si një organizatë e pavarur humanitare vullnetare në bazë të ligjit nr. 7864 më 29 shtator 1994. Bazuar në Art. 1 të Ligjit, Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare, e cila i kryen veprimtaritë e saj në mënyrë autonome, në përputhje me Parimet Themelore të Lëvizjes Humanitare Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 – ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 – dhe Protokollet Shtesë të 10 Qershor 1977 – ratifikuar nga Republika Shqiptare më 16 qershor 1993.  Kryqi i Kuq Shqiptar është një ndihmës i autoriteteve publike në fushën humanitare në të gjithë vendin.

Ne kemi dëshmuar aftësinë tonë në organizimin e operacioneve të ndihmës humanitare gjatë krizave dhe fatkeqësive që kanë ndodhur në vendin tonë duke mbështetur një numër të konsiderueshëm njerëzish të dëmtuar. Ne jemi aktivë në ofrimin e mbështetjes sociale dhe shëndetësore për komunitetet në nevojë duke kontribuar në reduktimin e vulnerabilitetit. Ne jemi gjithashtu të angazhuar për të përcjellë shqetësimet dhe interesat e njerëzve në nevojë pranë autoriteteve vendimmarrëse.

Ne kemi zhvilluar Shoqatën tonë Kombëtare duke rritur praninë e saj brenda vendit. Ne kemi ndërtuar dhe zgjeruar rrjetin tonë të vullnetarëve, kemi rritur nivelin e transparencës, duke forcuar përgjegjshmërinë, duke arritur kështu që të jemi sa më pranë njerëzve në nevojë. Për të rritur efektivitetin e shërbimeve tona, ne kemi punuar vazhdimisht për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe për zgjerimin e bashkëpunimit. Përpjekjet tona të përbashkëta bashkepunuese kanë patur një ndikim pozitiv në jetën e njerëzve në nevojë, prandaj synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të tërheqim më shumë vëmendje ndaj nevojave humanitare dhe programeve të zhvillimit në vendin tonë.

HISTORIK

  • Vitet 1914-1918 Janë vitet kur sëbashku me ushtritë ndërluftuese shfaqen dhe organizmat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të ushtrive ndërluftuese.
  • Viti 1919- Nis veprimtarinë e tij humanitare në Shqipëri një mision i Kryqit të Kuq Amerikan, kryesisht në fushën e shëndetit, atë sociale dhe të arsimit.
  • Viti 1920- Shpërndahen ndihma të Kryqit te Kuq Amerikan nga prapavija e ushtrisë shqiptare e asaj kohe.
  • Viti 1921- Më 4 tetor krijohet Shoqata e Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH).
  • Viti 1922- Aprovohet Statuti i KKSH-së. Botohet Revista e tij. Shoqata merr përsipër “Strehën vorfnore”. Çdo vit këtu jetonin dhe mësonin me qindra fëmijë nga shtresat më të varfra të popullit. KKSH merr gjithashtu në patronazh Dispanserinë Qendrore, e cila ndihmoi mjaft refugjatët e ardhur nga vendet fqinjë.
  • Viti 1923- KKSH njihet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit te Kuq. Po atë vit bëhet anëtar i Ligës (sot Federatës) Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë kështu e 38-ta shoqatë e themeluar deri në atë kohë.
  • Viti 1926- Krijohet Këshilli Kombëtar i Kryqit të Kuq Shqiptar. Shoqata shtrihet edhe në rrethe të tjera të vendit. Ajo hap shkollën e infermiereve. Infermieret e përgatitura në këtë shkollë, zhvilluan një shërbim të gjerë falas për shtresat më të varfra.
  • Viti 1927- Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Francez, hapet Këshillimorja dhe pikat e shpërndarjes së qumështit për fëmijët e keq ushqyer. Veprimtaritë e KKSH mbështeteshin nga ndihmat që vinin nga populli, bamirës të ndryshëm, por dhe nga shqiptarët e diasporës dhe në veçanti, Amerika.
  • Vitet 1939 – 1944 Gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahas veprimtarive të tjera, veprimtaritë kryesore të Kryqit të Kuq Shqiptar, ishin krijimi i një Spitali fushor në frontin e luftës Italo-Greke, hapja e nje Zyre Kërkimi dhe ndihma për popullsinë e zhvendosur si pasojë e Frontit të Luftës Italo-Greke.
  • Viti 1945 – Në vitet e para të pasluftës, veprimtaritë e Shoqatës kishin të bënin me ndihma në ushqime, veshmbathje dhe atje ku mundej, edhe në të holla, për të gjithë ata që ishin dëmtuar më shumë nga lufta.
  • Ndërkohë, filloi interesimi për pleqtë e vetmuar dhe pa përkrahje, të cilët u vendosën nëpër azilet që u hapën në disa qytete kryesore të vendit.
  • Viti 1946 – U ngritën Kurset e ndihmës së shpejtë në qendrat e punës dhe kantieret e ndërtimit. Në hekurudhën Durrës – Elbasan, Kryqi i Kuq Shqiptar hapi një spital me 50 shtretër në ndihmë të vullnetarëve që punonin në ndërtimin e saj.
  • Viti 1947 U hap një çerdhe me 20 shtretër për të lehtësuar sadopak punën e grave, ndërkohë që hapet një azil pleqsh në Shkodër, një çerdhe në Korçë, si dhe pesë shtëpi fëmijësh jetimë me një kapacitet prej 750 vende.
  • Vitet 1950 – 1969 Pak nga pak Kryqi i Kuq Shqiptar filloi të vihet nën influencën e shoqatave me të njëjtin emër të vendeve të lindjes, duke humbur shumë nga veprimtaritë e mirëfillta të traditës, për t’u kthyer në një shoqatë propagande thjesht shëndetësore, plotësisht e varur nga shteti.
  • Më 22.05.1957, qeveria shqiptare dorëzoi pranë qeverise zvicerane instrumentet e ratifikimit të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949, të cilat shoqëroheshin nga rezerva të rëndësishme.
  • Pas vitit 1969, kur shteti mori realisht pjesën dërrmuese të veprimtarisë së Shoqatës, ndërpriten të gjitha veprimtaritë praktike dhe Kryqi i Kuq Shqiptar pushon së funksionari.
  • Vitet 1969 – 1990 Kryqi i Kuq Shqiptar nuk funksionon.
  • Viti 1989- Kryqi i Kuq Shqiptar rifillon sërish aktivitetin pas 22 vjetësh. Si një shoqatë e re, ajo krijon bazën e saj ligjore të plotë si dhe një strukturë organizative në forcim të vazhdueshëm.

Kryqi i Kuq Shqiptar numëron 39 degë të shtrira në mbarë vendin. Ai ka arritur një zhvillim të mirë, duke u bërë shoqata humanitare më e madhe në vend. Aktualisht vepron në përmbushje të Planit Strategjik 2020-2025 me qëllim:

(I)   Vendosjen e njerëzve në qendër të ndryshimit për të krijuar mundësi konkuruese dhe për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve.

(II)  Reflektimin mbi vitet e mëparshme për të ecur përpara dhe për të ndërtuar të ardhmen nëpërmjet investimit në zhvillimin e shoqatës tonë kombëtare.

(III) Shërbimin për të mbështetur njerëzit në nevojë dhe të goditur nga fatkeqësitë, duke i ndihmuar që të ruajnë shëndetin dhe të përballojnë sfidat psiko-sociale.

Ndajeni me miqte tuaj: