Zhvillohet Konkursi IV Kombëtar “Rinia dhe Kryqi i Kuq”

Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH) organizon për të katërtin vit radhazi, Konkursin Kombëtar për përhapjen e vlerave humanitare “Rinia dhe Kryqi i Kuq”. Çdo vit në këtë veprimtari përfshihen rreth 300 të rinj vullnetarë nga të gjitha degët e KKSH.

Kryqi i Kuq Shqiptar numëron në rradhët e tij rreth 2 500 vullnetarë, 70 % e të cilëve janë të rinj. Shumë nga të rinjtë vijnë nga gjimnazet ku nga njëra anë gjejnë pak mundësi për t’u përfshirë në veprimtaritë e organizatave humanitare dhe nga ana tjetër, rrethohen shpesh nga një mjedis ku predomonojnë diskriminimi, mungesa e kulturës për paqen, përdorimi i substancave narkotike, etj. Synimi i këtij projekti është që të rinjtë vullnetarë të afrohen pranë KKSH dhe të marrin njohuri për Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Parimet themelore të kësaj Lëvizje dhe veprimtaritë e zhvilluar nga shoqata, me qëllim që të edukohen me vlerat humanitare për të qenë nesër qytetarë të denjë për vendin.

Në kuadër të Konkursit IV Kombëtar “Rinia dhe Kryqi i Kuq”, u zhvilluan 6 takime rajonale midis ekipeve të të gjitha degëve të KKSH të zhvilluara në Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Elbasan. Në takimet rajonale morën pjesë rreth 500 të rinj vullnetarë.

Nesër datë 20 tetor 2018, ora 10.00 në mjediset e Muzeut Kombëtar në Tiranë, mbahet takimi final i Konkursit midis 6 skuadrave fituese të takimeve rajonale të degëve të KK Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Sarandë dhe Vlorë. Cdo takim rajonal përfshiu 6 – 7 ekipe me nga 5 vullnetarë.

Arritja e këtij viti ishte se pyetjet ishin të një standardi më të lartë dhe përgjigjet e vullnetarëve reflektuan një nivel të lartë përgatittje. Pyetjet u konceptuan nga një grup pune ku u përfshinë të gjitha programet e shoqatës, historia e Kryqit të Kuq, pyetje logjike në lidhje me tematika të tilla si lidershipi, paqja, sensibilizimi kundër dhunës, Jo Drogës-Duhanit-Alkoolit, e Drejta Ndërkombëtare Humanitare, Parimet themelore të Lëvizjes dhe vlerat humanitare.

Falënderojmë të rinjtë vullnetarë për pjesëmarrjen në këtë projekt dhe iniciativat e tyre për përhapjen e vlerave humanitare te bashkëmoshatarët e tyre.

Ndajeni me miqte tuaj: