Vullnetarët e KKSH gjithnjë pranë të moshuarve të vetmuar

Shqipëria është duke përjetuar një ndryshim të madh demografik, me një popullsi e cila po moshohet me shpejtësi, e pritet të kapë shifrën 26.4% të popullsisë deri në vitin 2050. Për më tepër, sipas një studimi të fundit të ILO-s, të paktën 91 mijë të moshuar në Shqipëri kanë nevojë për kujdes afatgjatë. Më pak se 2 përqind e tyre aktualisht marrin shërbime formale të kujdesit afatgjatë dhe shumica e tyre mbështeten te anëtarët e familjes. Ndërsa rritja e jetëgjatësisë dhe përmirësimi i shëndetit janë rezultate pozitive për individët dhe shoqëritë në përgjithësi, ky fakt ngre nevojën për përmirësim të sistemeve të mbrojtjes sociale për të siguruar më shumë akses në shërbime të kujdesit afatgjatë për të gjithë të moshuarit që kanë nevojë për këto shërbime.

Edhe në Shqipëri, vitet e fundit po shohim gjithnjë e më shumë një numër të të moshuarve të izoluar për shkak, jo vetëm të shpërbërjes së modelit tradicional të familjes, por dhe shkëputjes nga jeta në komunitet, i kanë lënë të moshuarit me pak ose aspak mundësi për ndërveprim shoqëror ndërkohë që shumë prej tyre po luftojnë çdo ditë për të plotësuar nevojat e tyre bazë si ushqimi apo medikamentet.

Kryqi i Kuq Shqiptar ka identifikuar të moshuarit në nevojë si një grup me prioritet, me një politikë sociale të përditësuar në bazë të nevojave dhe shërbimeve të duhura për këtë grup-moshë, duke dhënë gjithashtu një hapësirë të madhe në planifikimet afatgjata strategjike të ndërhyrjes së shoqatës. Për më shumë se dy dekada, Kryqi i Kuq Shqiptar është duke punuar me projekte e iniciativa që kanë në fokus të moshuarit, veçanërisht ata që janë pa mbështetje e në nevojë, të cilët synojnë përmirësimin e jetës të moshuarve dhe reduktimin e izolimit social të tyre, duke ofruar shërbime për plotësimin e nevojave bazë, si dhe shërbime psikosociale dhe të përkujdesit dhe edukimit shëndetësor.  Me një shtrirje gjeografike të madhe, një rrjet staf e vullnetarë të përkushtuar, me një ekspertizë shumë vjeçare pranë komuniteteve në risk, tashmë ne e shohim një domosdoshmëri ofrimin e shërbimeve afatgjatë, të cilët mbështesin  personat e moshuar të jetojnë një jetë të pavarur dhe aktive, përmirësimin dhe ruajtjen e mirëqenies së tyre përmes iniciativave të Moshimit të Shëndetshëm, shërbimeve në banesë, apo mbështetjes psikosociale me qëllim reduktimin e izolimit social.

Ja disa nga dëshmitë e vullnetarëve tanë të cilët punojnë me të moshuarit e vetmuar:

Anjela Hajdari – Vullnetare e KK Tiranë

Kontakti im i parë me Kryqin e Kuq Shqiptar ka qenë nëpërmjet pedagoges time të fakultetit, të lëndës së sociologjisë, e cila më prezantoi me programin e Dhurimit të Gjakut. Që atëherë nuk jam shkëputur më dhe tashmë jam vullnetare prej gati 1 viti e KKSH, tek dega Tiranë. Gjatë angazhimit tim të vazhdueshëm mora pjesë te programi i Dhurimit të Gjakut, Ndihma e Parë dhe Ndihma e Parë e Avancuar dhe së fundmi te programi Social. Këtu do veçoja projektin e fundit të Kryqit në bashkëpunim me OBSH-në dhe ISHP-në, mbi të cilin u trajnuan rreth 15 vullnetarë të degës Tiranë. Në zbatim të këtij projekti, u hasa me histori të ndryshme gjatë vizitave të të moshuarve në shtëpi. U përballa dhe përjetova edhe pse për fragmente të shkurtra kohore, vështirësitë, vuajtjet dhe fatkeqësitë që shumë gjyshër e gjyshe kishin hasur dhe që vazhdonin sot e kësaj dite. Dhe pse unë isha aty për t’i ndihmuar me ndonjë punë shtëpie, për të biseduar e dëgjuar, për tu kujdesur për to, për t’i kontrolluar tensionin, diabetin, saturimet etj., nuk mund t’jua mbushja boshllëkun dhe dhimbjen që ato ndjenin në shpirt. Edhe pse unë ndodhesha aty për të dhënë mbështetje psikosociale, ndonjëherë ishte e pashmangshme që pika e lotit të mos më pikonte në faqe. Jeta qenka e pa parashikueshme për këdo. Edhe pse historitë ishin të trishta, unë largohesha nga shtëpitë e tyre me  buzëqeshje në fytyrë, sepse vetë gjyshërit e gjyshet ndiheshin të lumtur në ato momente. Ideja se dikush ishte kujtuar për to, po i kushtonte vëmendje, edhe pse s’po bënte asgjë të madhe por thjeshtë po i dëgjonte, i bënte të ndiheshin mirë. Ngrohtësia e shpirtit dhe buzëqeshja e tyre që më falnin gjatë bisedës, përqafimet ose nje shtrëngim duarsh plot me dashuri, ishin ndjesia me pozitive që mund të përjetoja në ato momente. Kësisoj, do i sugjeroja kujtdo që ka dëshirë dhe mundësi, të behej pjesë e këtyre projekteve, sepse janë shembujt më të mirë të humanizmit. Siç dhe Nënë Tereza thotë: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”


 

Marjon Kushi – Vullnetar i KK Librazhd

Vullnetarizmi është një ndjenjë që më buron së brendshmi. Është një aktivitet që synon përfshirjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës të njerëzve në nevojë. Ky lloj angazhimi ka një vlerë reale në shoqërinë e sotme pasi është një shprehje e qytetarisë aktive e cila përforcon një vlerë themelore, atë të shoqërisë solidare. Në Kryqin e Kuq kjo vlerë është themeluar që në gjenezë nëpërmjet shprehjes së bukur të Henry Dunant: “Të gjithë vëllezër”.

Si vullnetar jam angazhuar në shumë aktivitete që Kryqi i Kuq Shqiptar ka organizuar në qytetin e Librazhdit në ndihmë të moshës së tretë. Angazhimi me këtë grup-moshë ka një impakt të madh tek qytetarët të cilët e konsiderojnë këtë shërbim jetik. Kështu ne vullnetarët nxisim shpresën, besimin dhe transparencën mes qytetarëve.

Nënë Tereza thoshte: “Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjesia e të qënurit i padëshiruar”. Ky postulat më ka shoqëruar gjatë gjithë aktivitetit tim vullnetar me të moshuarit. Kam kuptuar se gjestet tona të vogla për të nxitur një moshim të shëndetshëm dhe aktiv, tek kjo kategori kanë patur një impakt të jashtëzakonshëm, si një ëndërr.  Një pjesë e madhe e tyre kishin vite që nuk kalonin kohë cilësore duke qenë aktiv, duke organizuar një ditëlindje, duke u mbledhur në qendrën ditore për moshën e tretë. Komunikimi me persona të ndryshëm, duke shkëmbyer mendime e, madje në disa raste, duke ndarë edhe vendime së bashku, është “pasuria” e vetme që të moshuarit duan.


Eriola Omeri – Vullnetare e KK Durrës

Unë jam Eriola, vullnetare në degën e Kryqit të Kuq Durrës. Dikur një studente e thjeshtë që donte të jepte kontributin e saj në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti katastrofik i vitit 2019. E përkushtuar për të ofruar maksimumin si gjatë seancave psiko-sociale ashtu edhe gjatë procesit të ofrimit të ndihmës financiare për këto familje, nuk u largova më nga dega ime dhe sot bëj plot 4 vite angazhim me Kryqin e Kuq Shqiptar.

Pas gjithë kësaj eksperience intensive me familjet e prekura nga tërmeti, u bashkova në aktivitetet e qendrës ditore për të moshuarit e qytetit tim. Çdo ditë qëndroja pranë tyre për tu shërbyer kafe, çaj, por edhe një bisedë miqësore për të zbutur efektin e vetmisë në përditshmërinë e tyre. Me ta mblidhemi për të diskutuar tematika te ndryshme, këshillime, biseda për jetesën, për problematikat apo çdo gjë tjetër që lidhet me jetesën e tyre të vështirë. Gjithashtu kalojmë edhe dite zbavitëse ku luajmë të gjithë së bashku, bëjmë udhëtime, piknik, zhvillojmë madje dhe kampionate shahu dhe dominoje. Kur shfaqen rishtazi problemet e tyre shëndetësore zhvillojmë takime me fizioterapistë, me agjenci private që ofrojnë shërbime pa pagesë.

Falë projekteve të KKSH për të moshuarit kam patur mundësinë ta zhvilloj edhe më tej shërbimin kundrejt tyre. Gjatë pandemisë në çdo shtëpi kemi kryer vlerësime të gjendjes së tyre emocionale. Covid 19 ndryshoi shumë aspekte të funksionimit të shoqërisë, madje edhe të bërthamës së saj, familjes. Ne ishim aty pranë tyre, vetëm një telefonatë larg, në çdo moment të ditës apo të natës, për çdo problematikë. Ky proces vlerësimi u ndoq nga një ndihmë simbolike financiare që u riktheu buzëqeshjen të moshuarve tanë dhe i ndihmoi të kapërcenin këtë periudhë të vështirë. Dikush bleu një mjekim specifik, dikush pagoi një qera të prapambetur, dikush ndihmoi një familjar në nevojë.

Së fundmi në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë u bë e mundur ndihma e integruar edhe për ata të moshuar që e kishin të pamundur ardhjen pranë qendrës sociale. Me skuadrën time kemi dalë shtëpi më shtëpi për të vizituar të moshuarit e qytetit të Durrësit. Ne ofrojmë mbështetje psikologjike, matje të parametrave vitalë të tyre, qëndrojmë me ta e kalojmë kohë cilësore së bashku.

Nga puna me të moshuarit e qendrës sime kam kujtime, shumë të bukura apo më pak të bukura, por që kanë shënjuar emocione të pashpjegueshme. Ndonjëherë kaloj natën duke menduar si t’u ndryshoj ditën disa të moshuarve të vetmuar, të mërzitur dhe ndonjëherë aspak në humor. Megjithatë rrugët e vështira të çojnë drejt destinacioneve më të bukura!

Në fund të ditës, kjo është familja jonë e madhe.

 

Ndajeni me miqte tuaj: