Vazhdojnë veprimtaritë për promocionin e dhurimit vullnetar të gjakut

Dhurimi vullnetar i gjakut është shprehja më e qartë e humanizmit njerëzor dhe mënyra më e mirë për të pasur një gjak të sigurt dhe të mjaftueshëm për pacientët në nevojë. Për fat të keq, nevojat për gjak janë në rritje për shkak të shtimit të numrit të traumave, sëmundjeve tumorale, krahas kërkesave të personave që vuajnë nga sëmundje kronike,  etj.

Të ndërgjegjshëm se plotësimi i nevojave për gjak në vend është një sfidë mjaft e vështirë, Kryqi i Kuq Shqiptar, po bashkëpunon ngushtë me strukturat shëndetësore, dhe me të gjithë institucionet dhe qytetarët me qëllim inkurajimin e tyre për tu bërë dhurues gjaku, pasi secili prej nesh mund të kontribuojë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Treguesit në rritje të dhurimit të gjakut në vitet e fundit, dëshmojnë për rritjen e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë qytetare.

Shembull në këtë aktivitet humanitar është Ambasada Amerikane, e cila në përputhje me misionin e saj për një të ardhme të shëndetshme dhe më të mirë të popullit shqiptar, në mbështetje me Programin Kombëtar të Dhurimit Vullnetar të gjakut të Ministrisë të Shëndetësisë dhe Kryqit të Kuq Shqiptar, me 8 Tetor kontribuoi në dhurim vullnetar të gjakut. Mbi 20 vullnetar nga stafi i ambasadës dhuruan gjak për të dytën herë gjatë këtij viti. “Dhurimi i gjakut nuk kërkon më shumë sesa disa minuta nga koha juaj, por dhuron një jetë të tërë për dikë tjetër. Ju ftoj të gjithëve të mbështesni Kryqin e Kuq” është shprehur Ambasadori LU, duke dhënë shembullin personal.

Ndërkohë që nisma humanitare është shtrirë dhe në institucione të tjera gjatë këtij muaji. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, me drejtorin z. Ardian Xinxo, çdo vit ka kontribuar në dhurim gjaku. Më 14 Tetor u organizua përsëri fushata sensibilizuese dhe dhurim gjaku në ambientet e Institutit. Nga stafi i këtij Instituti, dolën mbi 30 vullnetar për të dhuruar gjak.

Kompania Antea Cement në Fushë Krujë me drejtorin Adamantios Frantzis, ka kontribuar rregullisht, në ndihmë të njerëzve në nevojë. Mbi 80 punonjës u rreshtuan për të dhuruar gjak më 15-16 tetor.

Këtë muaj veprimtaritë promocionale dhe seancat e dhurimit kanë një numër në rritje të degëve të KK, si në rastin e Degës së KK Elbasan – Reparti i zjarrfikësve, Komisariati i policisë në Gramsh, stafi i Shtëpisë së Pushimit (Konvaleshencës) në Durrës, etj. Në ditët në vazhdim sipas një planifikimi do të kemi dhurime në degë të tjera të KK.

Programi i gjakut i Kryqit të Kuq Shqiptar ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e numrit total të dhurimeve në nivel kombëtar. Në vitin 2014, numri i dhurimeve vullnetare përbën 24.3 % të totalit kundrejt 5% në vitin 2005.

Por, me gjithë rritjen e numrit të dhurimeve në vitet e fundit, ende nuk është arritur mjaftueshmëria në gjak. Kryqi i Kuq Shqiptar, si ndihmës i Ministrisë të Shëndetësisë i fton institucionet, kompanitë, organizatat kudo që janë të japin mbështetjen e tyre duke inkurajuar drejtuesit, punonjësit dhe anëtarët e tyre të dhurojnë gjak rregullisht.

Shoqata përcjell falënderimet dhe mirënjohjen të veçantë për dhuruesit e gjakut dhe drejtuesit e institucioneve që kanë kontribuar këtë muaji, në veçanti dhuruesit e rregullt.

Programi i Gjakut

 

Ndajeni me miqte tuaj: