Trajnimi i vullnetarëve aktivë, me qëllim përgatitjen e tyre si drejtues (lider) të të rinjve në degë, ishte objektivi i takimit të zhvilluar në Qendrën kombëtare të trajnimit të KKSH, në Tiranë më datë 3 korrik. Në takim morën pjesë të rinj nga vullnetarët më aktivë nga 11 degët më të mëdha qendër qarku të shoqatës dhe më konkretisht nga degët e KK Durrës, Berat, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Dibër, Fier dhe Vlorë.
Trajnimi, i zhvilluar nën drejtimin e Koordinatores së Programit të rinisë dhe edukimit humanitar, synonte zhvillimin e vetëdijes shoqërore tek të rinjtë, mirëkuptimin personal dhe intelektual, komunikimin, tolerancën dhe përgjegjësinë për vete dhe për bashkësinë si dhe rritjen e aftësive të të rinjtë vullnetarë për të qenë një lider rinie në funksion të përhapjes së vlerave humanitare të Kryqit të Kuq, në mënyrë të veçantë te të rinjtë.
Puna në grupe, role – play, ndarja e eksperiencave individuale dhe kolektive, ishin disa nga metodat e përdorura në takimin me të rinjtë me qëllim:
- Rritjen e njohurive të të rinjve për Lëvizjen ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe në veçanti KKSH,
- rritjen e aftësisë të çdo vullnetari pjesëmarrës për të qenë një lider në zbatimin në praktikë të veprimtarive të shoqatës;
- tërheqjen dhe organizimin e grupeve të vullnetarëve, duke e konsideruar veten si pika kontakti dhe hallkë lidhëse me programin e rinisë në Seli.
Të rinjtë u njohën gjithashtu me përvojat e shoqatave të tjera si motra në këtë fushë dhe Strategjitë 2020 të Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në fushën e Rinisë.
Shkëmbimi i eksperiencës dhe diskutimet për përvojat personale dhe në grup, dhe ato mbi çfarë është bërë deri tani dhe pritshmërinë e shoqatës nga kjo grup moshe, i dhanë mjaft gjallëri por dhe angazhim konkret nga grupi në përgjithësi, dhe nga çdo vullnetarë në veçanti për çfarë ata mund të bëjnë në degët e tyre përkatëse.
Shoqata beson shumë, se këta të rinj do të jenë nesër liderit e vërtetë të asaj mase të madhe anëtarësh dhe vullnetarësh aktivë që u japin jetë veprimtarive të shoqatës në përmbushje të qëllimit përfundimtarë të saj që të jetë në ndihmë të më nevojtarëve.
Kryqi i Kuq Shqiptar