“Së bashku për dhurimin vullnetar të gjakut” – ishte tema e Seminarit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq Shqiptar në kuadër të projektit “ Klub 25” që u organizua në Berat më 8-10 Tetor 2016, me mbështetje financiare të Kryqit të Kuq Norvegjez.
Projekti Klub 25 është pjesë e Programit të gjakut të KKSH, nëpërmjet të cilit promovohet shëndeti dhe një stil jetese i sigurt për dhuruesit vullnetar të gjakut dhe inkurajohen të rinjtë të dhurojnë gjak rregullisht deri në moshën 25 vjeç.
Në seminar morën pjesë koordinatorë dhe vullnetar të programit të gjakut dhe të projektit Klub 25 nga shoqata simotra të KK Kosovës, Maqedonisë dhe Italisë, si dhe anëtarë e vullnetarë të Klubit 25 Shqiptar nga degët e Kryqit të Kuq Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Shkodër, Vlorë e të tjera.
Risi në zhvillimet e projektit “Klub 25” sollën temat nga eksperiencat e shoqatave simotra. Seminari ishte i një niveli të lartë cilësor. Vlerësime për zhvillimin e suksesshëm të programit në Shqipëri u dhanë nga të gjithë pjesëmarrësit e shoqatave simotra. Qëllimi i seminarit ishte shkëmbimi i eksperiencave, praktikave dhe ideve më të mira lidhur me kulturën e dhurimit vullnetar të gjakut nga vende të ndryshme të rajonit.
Aftësitë dhe njohuritë e fituara në këtë takim do të ndihmoj stafin dhe vullnetarët që të bëhen më efektiv, më të motivuar në punë dhe të arrijnë suksese të mëtejshme. Pjesëmarrjet e vazhdueshme në rrjete ndërkombëtare e të rinjve, do të krijoj një bashkëpunim afatgjatë në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut me qëllim rritjen e dhuruesve vullnetare, e për pasojë uljen e prevalencës të sëmundjeve infektive të transmetueshme nëpërmjet gjakut.
Programi i Gjakut