Të dashur miq të Revistës,
Viti 2013 është një vit i rëndësishëm për Lëvizjen tonë ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, e cila kremton përgjatë tij, 150 vjetorin e krijimit të vet. Aktivitetet do të jenë të shumta dhe do të kulmojnë më 8 maj, Ditën Botërore të Kryqit të Kuq, dhe në kuadër të kësaj dite, Revista do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë këtij jubileu historik.
Ajo çka sjell ky numër, lidhet me një nga aspektet më të rëndësishme të angazhimit humanitar të Lëvizjes sonë që është përgatitja dhe përgjigja për rastet e katatrofave. Publiku i gjerë shqiptar e njeh mirë këtë anë të veprimtarisë së Kryqit të Kuq sepse ka pasur rastin të jetë dëshmitar i punës së Kryqit të Kuq Shqiptar sa herë që fatkeqësi të ndryshme natyrore kanë goditur vendin tonë. Në faqet e këtj numri nuk do të ndalemi në shembuj konkretë; Revista i ka trajtuar ato gjerësisht në momentin që kanë ndodhur. Ajo që na ka interesuar këtë herë, ka të bëjë me përballjenKryqi i Kuq – katastrofa. Tërmetet, ciklonet, cunamet, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, vullkanet, zjarret etj, nuk kontrollohen nga dora e njeriut dhe kur godasin, shkaktojnë fatkeqësisht viktima dhe krijojnë probleme të jashtëzakonshme. Preokupimi i vazhdueshëm i Lëvizjes në këtë drejtim lidhet jo vetëm me operacionet konkrete humanitare, por edhe në angazhimin këmbëngulës të saj që njerëzimi të rrisë mundësitë dhe shanset e veta për të ulur ndikimin e pasojave të katastrofave nëpërmjet zvogëlimit të rreziqeve, ndërgjegjësimit të komunitetit, përmirësimit të legjislacionit, rritjes së bashkëpunimit ndërmjet gjithë aktorëve të angazhuar në këtë fushë si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Puna për parandalimin e katastrofave dhe për zbutjen e tyre, përfshin një gamë shumë të gjerë të veprimtarisë njerëzore dhe shumë aktorë. Por Kryqi i Kuq është i bindur se “një strukturë ligjore kombëtare e parapërgatitur dhe e përshtatshme që të përcaktojë se si ndihma ndërkombëtare do të lehtësohet për të mbërritur në kohë duke e koordinuar me masat e marra në vend, mund të çojë në rritjen e jetëve të shpëtuara dhe në zvogëlimin e vuajtjeve të viktimave të prekura nga katastrofa”. Prandaj në punën përgatitore kundër katastrofave, krijimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor, zë siç reflektohet edhe në Revistë, një peshë të konsiderueshme.
Dy fjalë për kopertinën: asnjë rrezik i njohur nuk i kanoset Gjenevës që pozon në faqe të parë nën efektin e iluzionit optik të reve që “rrokullisen” mbi malin e Salevit, duke krijuar idenë e një vale gjigande (asocion me liqenin në breg të të cilit është ndërtuar qyteti). Ishte thjesht një përshëndetje e redaksisë për vendin ku ndodhet selia e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq që luan një rol të veçantë në raste katastrofash.
Redaksia