Revista 49


Të dashur miq të Revistës,

Aktivizimi në një shoqatë humanitare është në vetvete, një motiv frymëzimi për njeriun e angazhuar. Por përveç një sërë vlerash dhe parimesh që bartin shoqatat që përçojnë humanizmin në shoqëri, ka nganjëherë disa elementë që në dukje ngjajnë të parëndësishëm, por që përmbajnë domethënie shumë kuptimplota dhe bëhen kështu, edhe të vetëm, burim refleksioni dhe shtysë për përqafimin e një ideali të caktuar. 2011 është një vit i veçantë për Kryqin e Kuq Shqiptar sepse shënon 90 vjetorin e krijimit të tij. Më 1921 Kryqi i Kuq Shqiptar po krijohej vetëm disa vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe vetëm një vit pas Kongresit të Lushnjës që zgjodhi Tiranën si kryeqytet të vendit dhe hodhi përfundimisht bazat e funksionimit të pavarur të shtetit shqiptar. Ai themelohej në një kohë kur numëroheshin në të gjithë botën, vetëm 37 shoqata të kryqit të kuq. Që atëherë, gjatë 90 viteve, kanë rrjedhur shumë ujëra dhe shumë shoqata të tjera janë krijuar. Aktualisht Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe numëron 186 shoqata. Kryqi i Kuq Shqiptar renditet në gjirin e saj, i 38-ti në rend kronologjik duke qenë kështu shoqata humanitare më e vjetër në vendin tonë, një element krenarie jo vetëm për anëtarët, vullnetarët dhe dashamirësit e Kryqit të Kuq Shqiptar, por për të gjithë shoqërinë shqiptare në tërësi. Sigurisht një përvjetor dhe një tipar i tillë zënë vendin e merituar në faqet e këtij numri të Revistës me një shkrim të Presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar prof. dr.Shyqyri Subashi.

Por edhe ngjarje dhe veprimtari të tjera do të mund të lexoni në Revistën tuaj. Së pari një jehonë të asaj tragjedie të dhimbshme që goditi më 11 mars Japoninë, nëpërmjet një opinioni për mediat botërore të Presidentit të Kryqit të Kuq Japonez dhe njëkohësisht edhe President i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe z. Tadateru Konoé.

Rubrika e shëndetit dhe ajo e intervistës janë gjithashtu pjesë e këtij numri që s’mund të linte pa pasqyruar në të njëjtën kohë, edhe vazhdimin e operacionit humanitar në ndihmë të familjeve të përmbytura dhjetorin e kaluar në Shkodër nga një këndvështrim i ri mbi projektin shëndetësor të zbatuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar në lidhje me problemet higjienike dhe rëndësinë e njohjes dhe të zbatimit të masave që zvogëlojnë rreziqet para, gjatë dhe pas përmbytjeve.

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: