Të dashur miq të Revistës,
Katastrofa e përmbytjeve e goditi përsëri Shkodrën, për herë të dytë brenda një viti. Reshjet e dhjetorit qenë të tilla që shkaktuan dëme në toka dhe shtëpi nën ujë, më shumë se ato të janarit të këtij viti. Kryqi i Kuq Shqiptar që e konsideron përgatitjen dhe përgjigjen për rastet e katastrofave, përparësi të përparësive, u mobilizua menjëherë dhe vuri në dispozicion të operacionit në ndihmë të banorëve të dëmtuar, të gjitha kapacitetet e tij njerëzore dhe materiale. Një vlerë të jashtëzakonshme i dhanë aksionit të Kryqit të Kuq Shqiptar, donatorët e ndyshëm që kontributin e tyre për Shkodrën, e materializuan nëpërmjet operacionit të shoqatës tonë. Në faqet e këtij numri të Revistës, do të gjeni informacion të bollshëm për zhvillimin e shpërndarjes humanitare për familjet më të dëmtuara, një listë të donatorëve si dhe një intervistë me prefektin e qarkut Shkodër, njëherazi edhe kryetar i komisionit të emergjencave.
Por Revista ndalet kësaj here edhe në ngjarje dhe tema të tjera veç angazhimit kundër katastrofës në Shkodër. Kështu për shembull, gjejnë pasqyrim në të, dy aktivitete të rëndësishme të Presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar prof.dr.Shyqyri Subashi:së pari, takimi me Presidentitn e Republikës, shkëlqesinë e tij zotin Bamir Topi dhe së dyti, pjesëmarrja në krye të delegacionit të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, në mbledhjen e dhjetë të shteteve pjesëmarrëse në Konventën e Otavës.
Ndërsa në lidhje me periudhën e festave të fund vitit, në Revistë do të mund të lexoni një shkrim rreth një turi bamirësie që vullnetarë të Kryqit të Kuq dhe të kompanisë Vodafone ndërmorrën në institucione të ndryshme sociale në Tiranë dhe Shkodër për të festuar Vitn e Ri me fëmijë dhe të moshuar në nevojë.
Perspektiva gjinore në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, trajtohet në një përmbledhje të shkurtër të një takimi ndërkombëtar të ekspertëve të çështjeve gjinore dhe të ligjit të luftës, të mbledhur për herë të parë në lidhje më këtë problematikë.
Redaksia