Komunikatë shtypi e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe
Gjenevë, 18 qershor 2021 – Pak përpara Ditës Botërore të Refugjatëve më 20 Qershor, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) ngre shqetësimin për situatën e refugjatëve të cilët po përballen me vështirësi të mëdha humanitare, vështirësi që janë përkeqësuar nga pandemia e COVID -19.
Për këtë situatë, Jagan Chapagain, Sekretari i Përgjithshëm i FNKK&GjK, tha:
“Grupet në nevojë, të tillë si ai i refugjatëve, po paguajnë çmimin më të lartë në pandeminë COVID-19. Ne po shohim trende alarmante në rritje që tregojnë se shumë refugjatë anë e kënd botës nuk janë në gjendje të paguajnë për ushqim apo strehim dhe po bëjnë përpjekje maksimale për të pasur qasjen e nevojshme në kujdesin shëndetësor dhe arsim.”
“Nga ndikimi i pandemisë COVID-19 Refugjatët janë prekur në mënyrë disproporcionale. Ata, shpesh janë lënë jashtë politikave të mbështetjes social-ekonomike. Një numër i madh i refugjatëve kanë humbur burimet e tyre të të ardhurave apo kanë shpenzuar kursimet e tyre ndërkohë që po përdorin gjithnjë e më shumë praktika negative për të mbijetuar ”.
Në Bangladesh, analiza e fundit e kryer në kampet e refugjatëve në Cox’s Bazar nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe e Bangladeshit – me mbështetjen e FNKK&GjK – tregon se komunitetet po përpiqen të mbulojnë nevojat e tyre thelbësore, në veçanti ato që vijnë prej kufizimeve të lëvizjes që lidhen me COVID-19, problemet shëndetësore, aksesin e kufizuar në tregje dhe pasojat e shkaktuara nga një zjarr i madh ndodhur kohët e fundit në kamp.
Rritjet e çmimeve në tregjet vendore dhe zhvendosja e detyruar, të shkaktuara nga zjarri në kamp kanë çuar shumë familje drejt pasigurisë ushqimore. Gjatë muajit Prill dhe Maj, rreth 30,000 refugjatë në kampet e Cox’s Bazar ngritën shqetësime, 63% prej tyre kërkuan shërbime, përfshirë këtu ndihmë urgjente në ushqim dhe strehim. Pak më shumë se një e treta (37%) kërkuan përkujdesje shëndetësor apo mjekësore.
Vitin e kaluar, prania e reduktuar e organizatave humanitare në kampe për shkak të kufizimeve të COVID-19, çoi në një rritje të punës së fëmijëve, dhunës seksuale dhe asaj gjinore dhe rritje të rrezikut të trafikimit njerëzor. Përveç kësaj, është vërejtur një rritje e martesave të fëmijëve nën moshë nga fillimi i pandemisë, shpesh e parë si një alternativë për arsimim apo punë.
Në Kolumbi, mbylljet e kufijve, kufizimet e lëvizjes dhe humbja e mjeteve të jetesës çuan në problem që lidhen me ushqimin dhe strehimin, nga shumë refugjatë dhe emigrantë – shumica e të cilëve janë nga Venezuela – të cilët kanë pasur mundësi të konsumojnë vetëm një herë në ditë. 18% e të anketuarve nga Laborator Global i Migracionit i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe përmendin sigurinë ushqimore dhe kequshqyerjen si rreziqet më të mëdha për fëmijët gjatë pandemisë.
Në Turqi, një studim i fundit i kryer nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe FNKK&GjK – tregon se, midis 4,500 familjeve refugjate të anketuara [1], niveli i borxhit në vitin e fundit është rritur me gati 50%. Edhe më alarmues është fakti se shumë familje nuk janë në gjendje apo mezi arrijnë të të paguajnë për çfarë nevojiten më shumë, siç janë ushqimi (72%) dhe qiraja (66%). Sidoqoftë, ndihma në të holla e siguruar nga Rrjeti i Sigurisë Sociale të Emergjencës (ESSN) i financuar nga Bashkimi Europia po ndihmon refugjatët të mbulojnë disa nga këto kosto.
Në mënyrë që të përballen me pasojat e pandemisë COVID-19, refugjatët gjithnjë e më shumë po mbështeten në strategjitë e mbijetesës, të tilla si ulja e konsumit të ushqimit, blerja e ushqimit më të lirë dhe më pak ushqyes, blerja e ushqimit me kredi dhe huazimi i parave nga të afërmit dhe miqtë. Këto strategji kanë pasoja negative në shëndet dhe mirëqenie dhe kontribuojnë në nivele shqetësuese të pasigurisë ushqimore dhe borxheve në rritje të refugjatëve.
“Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë ndërmjet ushqimit të familjes apo qirasë së shtëpisë; askush nuk duhet të përballet me uri apo dëbime të detyruara,” tha Jagan Chapagain. “Qeveritë duhet të punojnë së bashku me donatorët, organizatat ndërkombëtare dhe multilaterale, sektorin privat dhe shoqërinë civile për të zbutur në mënyrë efektive ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në grupet më në nevojë, të tilla si refugjatët dhe emigrantët. Është përgjegjësia jonë e përbashkët që të sigurohemi se çdo njëri të mund të plotësojë nevojat e tij më thelbësore “.
________________________________________
[1] Familjet që marrin ndihmë në të holla nga Rrjeti i Sigurisë Sociale të Emergjencave të financuar nga Bashkimi Evropian (ESSN) identifikohen si “të pranueshëm” në Studimin e Vulnerabilitetit Ndërsektorial, ndërsa ata që nuk marrin mbështetje janë “të papërshtatshëm”. Në Turqi, refugjatët njihen zyrtarisht si “të huaj që janë nën mbrojtje ndërkombëtare ose mbrojtje të përkohshme”.