Programi i ndihmës së parë

Programi i ndihmës së parë synon edukimin e komuniteteve mbi rëndësinë e ndihmës së parë në përputhje me udhëzimet e Qendrës Globale të Referencave për Ndihmën e Parë, duke ofruar kështu një informacion të përditësuar, cilësor dhe profesional me qëllim shpëtimin e sa më shumë jetëve.

Ne jemi të përkushtuar të përmirësojmë vazhdimisht programin tonë duke marrë nga përvoja jonë, duke zbatuar praktika inovative dhe duke investuar në të ardhmen e shoqatës dhe shoqërisë sonë. Vazhdimisht planifikojmë një sërë aktivitetesh dhe eventesh për të vazhduar misionin tonë dhe për t’u siguruar që të gjithë të kenë akses në njohuritë dhe burimet e Ndihmës së Parë që shpëtojnë jetë.

  • NE ORGANIZOJMË SIMULIME PRAKTIKE, KU PRAKTIKOHEN AFTËSITË DHE NJOHURITË E NDIHMËS SË PARË TË AVANCUAR.

Në bashkëpunim me ekipe të tjera të reagimit ndaj emergjencave dhe struktura të ndryshme shtetërore si forcat zjarrëfikëse, policia apo shërbimet e urgjencës organizojmë raste të simuluara të aksidenteve për të rritur bashkëpunimin dhe efikasitenin mes ekipeve tona. Për të zgjeruar shtrirjen dhe ndikimin tonë, ne do të pilotojmë shërbimin e avancuar të ndihmës së parë për kompanitë dhe ndërmarrjet në dy module: atë për ambjente të jashtme dhe të brëndshme, si dhe në evente sportive për transportimin e lojtarëve nga fusha në ambulancë.


  • NE JEMI TË PËRKUSHTUAR PËR TË PROMOVUAR EDUKIMIN DHE NDËRGJEGJËSIMIN PËR NDIHMËN E PARË.

Të gjitha degët tona kryejnë aktivitete demonstruese të teknikave të Ndihmës së Parë në shkolla, kopshte, universitete, reparte ushtarake, institucione dhe në komunitet. Për t’u siguruar që ekipet tona janë të trajnuara dhe të përgatitura, zhvillojmë kurse të plota të ndihmës së parë për vullnetarët e KKSH-së, trajnime për të gjitha ekipet e Ndihmës së Parë në stadiumet e degëve që merren me këtë shërbim dhe ofrojmë trajnime për instruktorët në fushën e menaxhimit të emergjencave me shumë të lënduar.


  • NE MOTIVOJMË VULLNETARËT TANË NËPËRMJET TRAJNIMEVE DHE KONKURSEVE TË NDIHMËS SË PARË

Me qindra vullnetarë trajnohen në degët e shoqatës për njohuritë e ndihmës së parë. Ata garojnë mes tyre në nivel dege dhe fituesit përfaqësojnë qytetin e tyre në Konkursin Kombëtar të Ndihmës së Parë i cili zhvillohet çdo vit në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë. Të gjithë vullnetarët çertifikohen nga KKSH dhe GFARC, ç’ka e bën këtë trajnim të njohur ndërkombëtarisht.


  • NE EDUKOJMË FËMIJËT MBI RREGULLAT E QARKULLIMIT DHE SIGURINË RRUGORE

KKSH beson se nëse fëmijët edukohen që në fëmijëri mbi ndihmën e parë dhe sinjalistikën rrugore, në të ardhmen ata do të jenë qytetarë më të përgjegjshëm duke kontribuar kështu në uljen e aksidenteve rrugore si dhe pasojave të tyre vdekjeprurëse. Degët tona organizojnë takime informuese në kopshte dhe shkolla për të mësuar këto rregulla. Ne edukojmë fëmijët nëpërmjet lojrave sepse besojmë se nëpërmjet argëtimit këto informacione nguliten më lehtë në mendjen e tyre.

 


  • NE SHFRYTËZOJMË ÇDO KANAL KOMUNIKIMI PËR TË SHPËRNDARË NJOHURITË MBI NDIHMËN E PARË

Ne vazhdojmë të promovojmë aktivitetet tona në median sociale dhe të angazhohemi me komunitetin tonë në internet për të përhapur ndërgjegjësimin dhe edukimin rreth shërbimeve dhe burimeve të Ndihmës së Parë. Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të aksesojnë njohuritë e ndihmës së parë mund ta bëjnë këtë duke shkarkuar aplikacionin tonë në App Store dhe Play Store, ose mund të ndjekin një trajnim të ndihmës së parë në degën e Kryqit të Kuq Shqiptarë aty ku ju jetoni.


  • NE OFROJMË NJË SHËRBIM PROFESIONAL NËPËRMJET TRAJNIMEVE TONA TË NDIHMËS SË PARË

Në të gjitha degët e KKSH 120 instruktorë mësojnë ndihmën e parë për komunitetin. Aktualisht ne ofrojmë me profesionalizëm trajnime të ndihmës së parë:

Ndihma e parë për kandidatët për drejtues automjeti.

Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të pajisen me patentën për drejtues automjeti duhet të drejtohen pranë degës së KKSH në qytetin ku jetojnë për të zhvilluar këtë trajnim. Kursi zgjat 8 orë dhe në të trajtohen temat më të rëndësishme të ndihmës së parë bazike me qëllim uljen e jetëve të humbura në rast aksidenti. Çdo vit Kryqi i Kuq Shqiptar trajnon rreth 45.000 kandidatë për drejtues automjeti.

Ndihma e parë për punonjësit e institucioneve private dhe shtetësore, biznese, dhe publikun.

Sipas Kodit të Punës të gjitha kompanitë duhet të trajnojnë punonjësit e tyre mbi ndihmën e parë në ambientin e punës. Ne e ofrojmë këtë trajnim duke e përshtatur kurrikulën sipas nevojave të subjekteve. Ne sigurohemi që në rast aksidenti në punë, punonjësit të kenë njohuritë e duhura për të zvogëluar pasojat dhe për të rritur numrin e jetëve të shpëtuara. Ne mësojmë manovrat kryesore që lidhen me sigurinë në punë dhe procedurave standarte të veprimit në rast aksidenti. Ky trajnim zgjat 7 orë dhe ofrohet gjithashtu për çdo qytetar që dëshiron të mësojë këto njohuri. Çdo vit Kryqi i Kuq Shqiptar trajnon rreth 2.500 punonjës nga subjektet dhe publiku.

Ndajeni me miqte tuaj: