Programi i Rinisë dhe Edukimit Humanitar

Programi i Rinisë dhe Edukimit Humanitar synon të rrisë ndërgjegjësimin te të rinjtë për të promovuar vlerat humanitare te  bashkëmoshatarët e tyre nëpërmjet sistemit peer to peer  si dhe në komunitet. Promovimi i rolit të liderit dhe rritja e kapacitetit të tij edhe këtë vit do të jetë në prioritetet e programit. Kjo realizohet nëpërmjet trajnimeve dhe veprimtarive që programi zhvillon. Promovimi i vullnetarizmit, rolit të liderit,  njohurive mbi Parimet Themelore, Vlerat Humanitare dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare do të shërbejnë si mjete për të rritur aftësitë e të rinjve për jetën dhe fuqizimin e tyre në rolin e lidershipit.

Vullnetarët dhe punonjësit e Kryqit të Kuq Shqiptar janë njerëz pasionantë, të angazhuar dhe të ndjeshëm, të cilët vënë në dispozicion kohën dhe aftësitë e tyre për të ndihmuar ata që janë më në nevojë, nëpërmjet ofrimit të mbështetjes humanitare për grupet shenjë në komunitetet e ndryshme në Shqipëri.

Ne jemi pjesëtarë të Kryqit të Kuq Shqiptar që e bazojmë punën tonë në humanizëm dhe në Parimet tona Themelore. Të qenit së bashku me Kryqin e Kuq Shqiptar, na lejon që t’i shërbejmë popullit tonë dhe të jemi të vlerësuar për punën tonë të çmuar,  duke u rritur personalisht dhe duke u zhvilluar profesionalisht. Vlerat tona humanitare janë themeli i veprimeve dhe i vendimeve tona. Si pjesëtarë të Kryqit të Kuq, ne jemi të përkushtuar që të veprojmë me respekt dhe dinjitet duke synuar cilësinë, sigurinë dhe gjithë përfshirjen në shërbimet tona transparente, te përshtatshme dhe efektive. Gjithçka që themi dhe bëjmë, është frymëzuar nga Parimet Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. Kemi kënaqësinë të ftojmë më shumë vullnetarë dhe punonjës të bashkohen me ne.”


  • NE DËSHIROJMË TË ZHVILLOJMË NJË KULTURË TË FORTË DHE TË QËNDRUESHME VULLNETARIZMI

Të rinjtë si vullnetarë – Të rinjtë si lider – Të rinjtë si përfitues

Në punën tonë me të rinjtë bazohemi te strategjia e shoqatës 2025 dhe në politikat e saj; Politika për Rininë dhe Politika për Menaxhimin e Vullnetarëve, në përvojat e mëparshme të programit si dhe në drejtimet kryesore të Federatës Ndërkombëtare të KKGJK mbi të rinjtë dhe vullnetarët.

Kryqi i Kuq Shqiptar numëron rreth 3000 vullnetarë. Të rinjtë vullnetarë zënë një vend të rëndësishëm në shoqatën tonë në drejtim të kontributit që japin për organizimin dhe zbatimin e e  projekteve dhe veprimtarive.

Të rinjtë përballen vazhdimisht me sfidat e ndryshimeve që ndodhin në botën rreth tyre si urbanizimi, dhuna, abuzimi me substancat narkotike, papunësia dhe ekonomia globale, çështje të shëndetit mendor, trafikimi etj. Për këtë, synohet rritja e kapacitetit të tyre në marrjen e përgjegjësive, në organizimin dhe implementimin e veprimtarive, dhënies së ideve dhe ndarjes së përvojave në drejtim të përhapjes së vlerave humanitare. Kjo zhvillohet nëpërmjet trajnimeve dhe tryezave të rrumbullakta që Programi për Rininë organizon mbi tema të tilla si: Lidershipi, Vullnetarizmi, Vlerat Humanitare, Jo Drogës-Duhanit-Alkolit, Rritja e Ndërgjegjësimit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore, E folura në Publik, Dhuna në Familje dhe Shoqëri etj.


  • NE FUQIZOJMË TË RINJTË DHE VULLNETARËT TANË PËRMES AFTËSIVE PËR JETËN DHE ZHVILLIMIT TË LIDERSHIPIT

Ne promovojmë te fëmijët vlerat humanitare. Kjo nëpërmjet organizimit të fushatave për promovimin e vlerave humanitare në shkollat 9-vjecare. Ne i nxisim ata të jenë pjesë e veprimtarive kultore-edukuese nëpërmjet pjesëmarrjes në Ekspozitën Kombëtare të Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”.

Konkursi Kombëtar për Vlerat Humanitare “Rinia dhe Kryqi i Kuq” është një tjetër projekt i cili  promovon  vlerat humanitare te të rinjtë në shkollat e mesme. Nëpërmjet këtij projekti të rinjtë aftësohen për jetën duke rritur kapacitetet e tyre me njohuri në drejtim të shëndetit, promovimit të vlerave, komunikimit në publik, punës në grup etj.

Ne i motivojmë të rinjtë për kontributin dhe kohën e tyre në ndihmë të njerëzve në vështirësi dhe në zbatim të organizimit të veprimtarive. Për këtë të rinjtë vullnetarë të dalluar të degëve të shoqatës marrim pjesë në kampin veror. Në këtë aktivitet janë të përfshira tre fusha: edukimi, argëtimi dhe njohuria.

Bëhuni pjesë e Skuadrës së Kuqe duke iu bashkuar grupit të vullnetarëve pranë degës së Kryqit të Kuq Shqiptar në qytetin tuaj!

Për më shumë informacion rreth vullnetarizmit pranë Kryqit të Kuq Shqiptar klikoni këtu.

 

Ndajeni me miqte tuaj: