Presidenti i KNKK Peter Maurer është pritur në dhomën e deputetëve të Italisë, ku ka folur për karakterin humanitar në situatat e konflikteve dhe në sfidat e tjera të natyrës globale.

Gjatë ndërhyrjes së tij në një pritje informale në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe ato të jashtme në Dhomën e Deputetëve të Italisë, të mërkurën, datë 24 qershor, Presidenti i KNKK Peter Maurer ka theksuar duke ju referuar asaj që ndodh sot në konfliktet në botë se, jemi duke u përballur me situatën më të keqe nga fundi i luftës së dytë botërore. Kjo dëshmohet nga shifrat në rritje të KNKK, Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në vitet e fundit.

“Kur një organizatë që ndihmon dhe mbron viktimat e një konflikti rritet, në vetëm në tri vjet, më shumë se 50% , ka shpjeguar Maurer në fjalën e tij – kjo tregon se ka një problem në nivel ndërkombëtar, dhe ky është një tregues i asaj se sa shqetësuese është situata globale.

KNKK ka sot më shumë se 14 000 bashkëpunëtorë, dhe vepron në më shumë se 80 vende për të ndihmuar dhe mbrojtur personat që vuajnë pasojat shkatërruese të luftës dhe të llojeve të tjera të dhunës”. “Që nga lufta e dytë botërore, ne asnjëherë nuk kemi asistuar në një përkeqësim kaq të madh të shifrave dhe të dhënave të pasojave të konflikteve në botë. Dikur kemi pasur, maksimumi një apo dy kriza në nivel botëror. Ndërkohë që sot kemi një krizë të rëndë në Lindjen e Mesme, kriza të ndryshme në kontinentin afrikan, një lëvizje masive të personave të zhvendosur për shkak të krizës në Ukrainë. Shkalla e nivelit të konflikteve është përkeqësuar, duke ndryshuar dhe dinamikën e konflikteve të armatosura. Tre vite më parë, flitej për krizën siriane. Sot kjo krizë është e gjithë Lindjes së Mesme, duke u bërë një problem ekstremisht i rëndë për sigurinë globale. Është rritur numri i krizave, por dhe pesha dhe shtrirja e tyre. Ndodhemi në një situatë ndërkombëtare gjithnjë e më të brishtë.

Duke qenë pranë protagonistëve të betejave dhe të viktimave, KNKK ka vënë re një transformim të aktorëve dhe të viktimave të luftës. Gjithnjë e më shpesh kemi të bëjmë me aktorë jo shtetërorë dhe jo të armatosur. Konfliktet janë strukturuar ndryshe, krahasuar me të shkuarën, ndërkohë që ka më shumë subjekte të përfshira në negociata për një marrëveshje humanitare. Kur, për shembull, nga janari në qershor të vitit të kaluar kemi negociuar shpesh qasjen e një karvani ndihmash humanitare në Alepo, kemi pasur si bashkëbisedues më shumë se tridhjetë subjekte të ndryshme. Por, dhe dinamika e veprimit humanitar ka ndryshuar, ashtu siç ka ndryshuar dhe përdorimi i armëve. Në të njëjtin teatër luftimesh kemi të gjithë gamën e armëve, nga ato tradicionalet e deri ato të teknologjisë së lartë. Nuk ka më vija fronti sepse vetë konfliktet janë të destrukturuara.

Impaktin humanitar i kësaj tragjedie, ju në Itali e njihni mirë, sepse në fund ai prodhon emigracion. Ne kemi parë gjithashtu, dhe një ndryshim thelbësor në nevojat e personave që ndoshta nuk kemi arritur që t’i kuptjmë plotësisht. Sot, impakti humanitar nuk ka më karakter individual dhe të përkohshëm, por godet shoqëri dhe sisteme të tëra. Sistemi shëndetësor në Siri nuk ekziston më dhe sot ai punon me më pak se 30% të mundësive që kishte përpara armiqësive. Me një milion e gjysmë refugjatë në Liban, sistemi është në krizë, jo vetëm ai shëndetësor, por dhe ai i furnizimit me ujë apo dhe ai sanitar. Në ndryshim është dhe kohëzgjatja e zhvendosjeve: në të shkuarën kishim të zhvendosur përgjatë një konflikti dhe në fund të tij kërkohej që personat të ktheheshin në vendin e tyre të origjinës. Sot, gjendja e të zhvendosurve vazhdon për vite të tëra, janë situata që vazhdojnë për një periudhë të gjatë, ku mungon një perspektivë e qartë realiste për fundin e konfliktit dhe për kthimin e tyre. Kështu që sfidat për të gjithë sistemin humanitar kanë ndryshuar.

Një nga sfidat tona kryesore në këtë skenar, është se po bëhet gjithnjë e më vështirë të negociohet për qasjen, për pranimin e hapësirave humanitare. Janë disa zona në të cilat Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe, përfaqësuar nga KNKK, ka mbetur e vetmja organizatë e pranishme, si në Jemen, ku të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara janë larguar. Sot, konfliktet nuk shihen vetëm në vendet më pak të zhvilluara, por dhe në zona si Ukraina, Siria, Iraku, Jordania, Libani, Nigeria, të konsideruara vende me një mirëqenie mesatare. Të gjitha organizatat ndërkombëtare kanë kapacitete për të ndihmuar në varfëri, por jo kur situata është e brishtë. Nuk duhet të na habisë fakti se personat në nevojë, që nuk arrijnë të marrin ndihmën e nevojshme për arsyet të situatës kritike, të shkojnë dhe të kërkojnë atë diku tjetër ku ka shpresë. E kështu fillimisht ecim dhe pastaj kalojmë dhe detet.

Ne dëshirojmë t’i përgjigjemi nevojave të njerëzve në mënyrë të paanshme dhe neutrale dhe kjo bën pjesë në mandatin tonë. Ne kemi nevojë për një mbështetje më të madhe politike për dialog dhe një rishikim të prioriteteve të shteteve. Sepse mungon vëmendje politike e menjëhershme për të zgjidhur problemet, dhe për pasojë vuajmë impaktet humanitare negative dhe nuk shikojmë shkaqet. Përfaqësuesit politik mbështesin aktivitetin humanitar sepse u duket zgjidhja më e thjeshtë, por kjo nuk është mënyra më e mirë për të optimizuar punën humanitare. Ne kemi nevojë për mbështetje politike për Neutralitetin tonë, dhe kemi nevojë për një impenjim politik të vërtetë.

Uroj që më në fund, qeveria italiane të kuptojë se Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe janë instrumentet më efikas për dhënien e ndihmës dhe mbrojtjes humanitare në rrethana të vështira në nivel botëror, por ne nuk do të arrijmë të përballemi me faktin nëse nuk do të ndërhyhet në nivel politik”….

 

 

 

 

Ndajeni me miqte tuaj: