Deklaratë e Peter Maurer, President i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Kombet e Bashkuara
30 tetor 2015
Z. Sekretar i Përgjithshëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sapo kam ardhur këtë mëngjes nga Mogadishu, Somali; mund të kisha ardhur nga Afganistani, Siria, apo Jemeni, nga Sudani apo rajoni i Çadit apo dhe nga ndonjë vend tjetër. Mesazhi që do të përcillja këtu, do të ishte i njëjtë: Tani, më shumë se kurrë, themelet respektive të dy organizatave tona, Ligji i Luftës, Parimet themelore të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, dhe Karta e Kombeve të Bashkuara kanë nevojë për një riafirmim të fortë nga komuniteti ndërkombëtar.
Kjo është arsyeja, përse sot përherë të parë, ne jemi këtu së bashku, për t’i drejtuar këtë apel Shteteve dhe aktorëve të tjerë të angazhuar në konfliktet e armatosura, që të respektojnë dhe të mbrojnë parimin e humanizmit.
Ky vendim tregon një qëndrim të vendosur të të dy institucioneve, për të cilin ne kërkojmë të tërheqim vëmendjen e liderëve politikë; kemi hyrë në një erë të re, dhe ajo nuk është më paqësorja.
Jetojmë në një kohë konfliktesh të armatosura, të tejzgjatura, aq sa duket sikur jetojmë në një botë në luftë. Shkaqet janë komplekse. Pasojat janë me ndikim të gjerë. Implikimet humanitare janë masive.
Jetojmë në një kohë, në të cilën bashkësia ndërkombëtare, shumë shpesh, në mënyrë të heshtur, pranon ndikimin e dëmshëm të luftës te njerëzit. Kjo është moralisht e papranueshme, dhe në kundërshtim me ligjet dhe parimet shekullore.
Nëse shtetet në konflikt, dhe komuniteti ndërkombëtar, nuk veprojnë si një trup i vetëm, në mënyrë të përgjegjshme tani, do të kemi miliona viktima të tjera. Të veprosh me përgjegjësi, do të thotë të dyfishosh përpjekjet për të arritur zgjidhje politike dhe, në pritje të kësaj arritje, të sigurosh se parimet dhe e drejta humanitare, janë të respektuara.
Sot, konfliktet e armatosura kanë prekur pjesë të gjera të botës. Miliona njerëz janë të ekspozuara ndaj dhunës dhe jetojnë me pak ujë, ushqim, strehim dhe shërbime të tjera. Me miliona fëmijë janë jashtë shkollës. Spitale të sulmuara, pacientë, mjekë, infermierë dhe punonjës humanitarë të vrarë. Largimet nga vendbanimet për shkak të luftimeve dhe të dhunës, është bërë një gjë e zakonshme dhe ka arritur nivele të papara. Kjo nuk është e pranueshme.
E drejta ndërkombëtare humanitare vendos limite në luftë. Luftërat pa limite janë luftëra pa fund. Dhe lufta pa një fund do të thotë vdekje.
Duke zbatuar parimet e humanizmit, neutralitetit, paanësisë dhe pavarësisë, punonjësit humanitar mund të veprojnë dhe në teatrin e luftërave më intensive, të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme.
Ne (KNKK) punojmë për mbrojtjen e civilëve nga pasojat e armëve dhe për trajtimin njerëzor të të ndaluarve. Ne ndihmojmë duke dhënë ujë, ushqime, strehim dhe shërbim shëndetësor. Dhe ne e bëjmë këtë, të mbrojtur nga ligji dhe parimet. Dhe kur ligji dhe parimet humanitare nuk respektohen, kur nevojat humanitare lihen pas nga axhenda politike, kur aksesi te të plagosurit dhe të sëmurët nuk lejohet, dhe kur aspektet e sigurisë çojnë në ndërprerjen e operacioneve të ndihmës, njerëzit lihen pas dore, nocioni i mbrojtjes humbet kuptimin e tij, dhe humanizmi nëpërkëmbet.
Ne i kërkojmë Shteteve të respektojnë veprimin tonë humanitar me veprime konkrete dhe të sigurojnë respektimin e të drejtës ndërkombëtare humanitare.
Ne u kërkojmë Shteteve dhe grupeve të armatosura jo shtetërore, të mbrojnë civilët në një konflikt të armatosur duke respektuar parimin e dallimit, të përkujdesjes e të proporcionalitetit, duke dënuar përdorimin e armëve të paligjshme dhe përdorim të paligjshëm të armëve, sidomos në zonat me popullsi të dendur. Uria, përdhunimi dhe forma të tjera të dhunës seksuale, ekzekutimet, si dhe trajtim çnjerëzor dhe degradues i të burgosurve duhet të ndalet.
Ne u kërkojmë Shteteve dhe grupeve të armatosura jo-shtetërore të mbrojnë objektet e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e shëndetit, ashtu siç dhe përcaktohet konkretisht në të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Ne kërkojmë që Shtetet dhe grupet e armatosur jo-shtetërore të njohin parimet humanitare që udhëheqin aktivitetet e KNKK-së, në veçanti nevojën për t’u angazhuar me të gjitha palët në një konflikt.
Ne kërkojmë që Shtetet dhe grupet e armatosur jo-shtetërore të lehtësojnë, të mos pengojnë aktivitetet e ndihmës dhe të mbrojtjes humanitare.
Shpesh, në mes të konfliktit, njerëzorja braktiset.
Por, në mes të konfliktit, ka dhe shpresë, dhembshuri dhe solidaritet të madh, çka bën të mundur të mendojmë dhe të punojnë drejt një epoke ndryshe.
Shtatëdhjetë vjet, nga kur Kombet e Bashkuara u themelua për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe pesëdhjetë vjet pas miratimit të Parimeve themelore të Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, bota ndodhet në një pikë kthese.
Pas pesë javësh, Konferenca 32 Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe do të sjellë së bashku, për tri ditë, në Gjenevë, përfaqësues të 196 shteteve, rreth një axhendë të gjallë dhe largpamëse. Dy muaj më vonë, Samiti botëror humanitar do të takohen në Stamboll. Këto ngjarje do të paraqesin mundësi unike për shtetet, për të përkthyer të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe Parimet themelore, në një veprim kuptimplotë duke rinovuar një kontratë për njerëzimin, duke bërë që të përfitojnë miliona njerëz të prekur nga konflikti i armatosur në të gjithë botën.
Faleminderit!