Në kuadër të realizimit të njërit prej objektivave të Programit të Gjakut, rritjes të kapaciteteve të shoqatës në fushën e gjakut, më datë 18 mars u organizua seminari i rrallës për formimin profesional dhe organizativ të stafit dhe vullnetarëve pjesëmarrës nga 14 degë të KKSH. Tema e seminarit ishte: “Promocioni dhe Rekrutimi i dhuruesve vullnetar të gjakut”. Mbështetur në Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në seminar morën pjesë dhe dy mjekë specialist të këtij institucioni.
Seminari synon të kemi një formim profesional, në aspektin organizativ të stafit dhe të vullnetarëve të angazhuar në veprimtaritë e Programit të dhurimit vullnetar të gjakut në nivel kombëtar. Ishte kjo arsye që në seminar u ftuan të marrin pjesë degë që kanë hasur vështirësi dhe probleme në arritjen e objektivave të përcaktuar.
Në seminarin e drejtuar nga koordinatorja e programit u trajtuan tema të rëndësishme për një zhvillim cilësor të Programit të Gjakut, dhe tema të karakterit të përgjithshëm nga mjekë të Qendrës kombëtare të shërbimit të transfuzionit. Risi në zhvillimin e seminarit solli tema mbi përdorimin me efektivitet i rrjeteve sociale dhe internetit.
Në këtë seminar u trajnuan 24 pjesëmarrës, ndërkohë që në nivel kombëtare janë trajnuar 120 vetë, staf dhe vullnetar nga 37 degë të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Seminari është një kontribut në arritjen e qëllimit për të pasur kapacitete më të mira në degët pjesëmarrëse në program për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës të dhurimit vullnetar të gjakut në vendin tonë.
Jemi besim plotë se në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut, do të rriten numri i dhurimeve, numri i dhuruesve të rregullt dhe do të ulet prevalenca e sëmundjeve infektive të transmetueshme nëpërmjet gjakut.
Ariana DELIANA
Koordinatore e Programit të gjakut