Për një angazhim më të madh të të rinjve në dhurimin vullnetar të gjakut – Seminar trajnimi me të rinjtë e “Klubi 25”
Kryqi i Kuq Shqiptar ka filluar zbatimin e projektit “ Klub 25” nga viti 2007, me mbështetjen e Kryqit të Kuq Norvegjez. Projekti është pjesë e Programit të promovimit të dhurimit vullnetar të gjakut, nëpërmjet të cilit : promovohet shëndeti dhe një stil jetese në mënyrë të sigurt nëpërmjet dhuruesve të gjakut; inkurajohen të rinjtë të dhurojnë gjak rregullisht deri në moshën 25 vjeç.
Për ecurinë e suksesshme të këtij projekti është bashkëpunuar me struktura të arsimit dhe ato të shëndetësisë. Shembuj të këtij bashkëpunimi në veprimtaritë humanitare të Kryqit të Kuq janë të shumtë. Në këtë kontekst, më 17-18 Prill 2015, u organizua në Durrës, seminari dy ditor me teme: ”Trajnim i Trajnerëve”, me pjesëmarrje të anëtarëve të dalluar të Klubit 25 nga të gjithë degët kryesore të Kryqit të Kuq, ku zbatohet projekti si Tiranë, Durrës, Korçë, Berat, Shkodër, Vlorë e të tjera.
Qëllimi i seminarit ishte të formonte trajnues për bashkëmoshatarët e tyre lidhur me kulturën e dhurimit vullnetar të gjakut. Përveç anëtarëve të “Klubit 25”, ishin të ftuar lektor e pedagogë të cilët ligjëruan për tema të ndryshme si: “Komunikimi” nga Entela Binjaku; “Edukimi i të rinjve si lider”, “ Rinia si objekt i dhurimit të gjakut”, mbajtur nga Orjola Pampuri dhe “Drejt dhurimit vullnetar të gjakut” nga Uarda Petriti.
Në seminar u prezantuan gjithashtu, tema të ndryshme në funksion të qëllimit, nga Koordinatorja e Programit zj. Ariana Deliana dhe Koordinatorja e Projektit “Klub 25” Xhulieta Mucollari. Risi në zhvillimet e projektit Klub 25 solli tema: Mbi përdorimin me efektivitet i rrjeteve sociale dhe internetit, prezantuar nga dy anëtare të dalluar të “Klub 25”, Herga Agaj dhe Elda Bunguri.
Seminari ishte një tjetër hap drejt formimit të trajnues për bashkëmoshatarët e tyre lidhur me dhurimin vullnetar të gjakut në vendin tonë. Në këtë mënyrë nëpërmjet “Trajnim për trajnerë” do të krijohet një bashkëpunim afatgjatë ndërmjet të rinjve në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut, me qëllim që të rritet më shumë numri i dhurimeve, numri i dhuruesve të rregullt dhe të kemi një gjak të sigurt dhe të mjaftueshëm.
PROGRAMI I DHURIMIT VULLNETAR TË GJAKUT