Një përvojë e re, në veprimtaritë e KKSH në fushën e përgjigjes në raste katastrofash

 

Një ndër institucionet që reagoi në përgjigje të përmbytjes që ndodhi në vendin tonë, në shkurt 2015, në Jug-Perëndim të vendit ishte Organizata Botërore e Ushqimit (OBU). Ajo, pasi vlerësoi situatën në terren, dhe pasi pa punën e bërë nga Kryqi i Kuq Shqiptar, ofroi bashkëpunim për realizimin së bashku të një projekti konkret për familjet e prekura në zonat e përmbytura.

Projekti synonte një asistencë ushqimore për familjet e prekura, nëpërmjet një ndihme në lekë cash, të cilat do të jepeshin mbështetur në kriteret që vetë OBU përcaktoi. Një nga kriteret bazë, ishte se shuma e lekëve të akorduara do të jepej në emrin e kryefamiljares, gruas më të vjetër në moshë të shtëpisë, emrin e së cilës do të mbante dhe ceku që do të lëshohej për familjen përkatëse.  Me nënshkrimin e marrëveshjes së Bashkëpunimit me OBU, pas miratimit të projektit nga strukturat drejtuese të KKSH, filloi puna për realizimin e tij në terren.

Në zbatim të marrëveshjes, u angazhua stafi i Selisë dhe i degëve të KK Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Elbasan. Grupet e punës, të përcaktuara në përbërje të të cilëve ishin anëtarë këshilli, vullnetarë dhe staf i degës filluan hedhjen e të dhënave të familjeve përfitueseve në database, sipas kritereve të OBU. Për këtë u bashkëpunua ngushtë me autoritet e Pushtetit vendor si: Prefektura, Komunat, fshatrat dhe përfaqësues nga komuniteti.

Me përfundimin e të dhënave dhe përcaktimin e listës së përfituesve, OBU i kërkoi KKSH që për arsye se dispononte ekipet e tij në terren, të bëjë dhe shpërndarjen e çeqeve. Në bashkëpunim dhe me Bankën Intesa San Paulo, në ambientet e kësaj të fundit në degët përkatëse, u realizua dhe shpërndarja e tyre.

Në total përfituan 2147 familje në 5 qarqet e prekura nga përmbytja, në Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Elbasani. Çdo familje përfitoi shumën prej 13 000 lekë.

Realizimi i këtij projekti ishte një përvojë e re, por jo e panjohur për Kryqin e Kuq Shqiptar. Shembuj të ngjashëm vijnë nga shoqatat si motra në veprimtaritë e tyre në përgjigje të katastrofave natyrore më të cilat janë përballur.

Për një vlerësim sa më të plotë të projektit, si një përvojë e parë, më datat 29 dhe 30 shtator u organizua në Degën e KK Fier një takim me të gjithë pjesëmarrësit që dhanë kontributin në realizimin me sukses të tij.

Në takimin vlerësues morën pjesë, përfaqësues nga familjet përfituese nga qarku i Fierit, Vlorës dhe Beratit; përfaqësues të komunave dhe kryepleqtë e fshatrave të prekura nga përmbytjet, nga prefektura Fier, vullnetarë, staf i KKSH si dhe koordinatorë të projektit nga Selia.

Pasi u diskutua gjerësisht për mbarëvajtjen e projektit në të gjitha hallkat e tij nga hartimi i listave të familjeve bazuar në kriteret e OBU, për procesin e shpërndarjes së çeqeve për familjet përfituese, monitorimin dhe publicitetin e shpërndarjes, u mblodhën përshtypjet, mendimet, dhe komentet e pjesëmarrësve mbi vlerat e këtij projekti për familjet përfituese.

Në përfundim, nga takimi doli se, në lista u përfshinë familjet më të përmbytura dhe më të varfra, se ishte një gjetje shume e mirë që shuma t’i kalonte kryefamiljares femër të familjes, dhe se familjet përfituese ishin shumë të kënaqura me shpërndarjen e parave kesh, sepse kështu ato plotësonin më mirë nevojat e imediate të familjes së tyre.

Realizimi i këtij projekti dhe përfshirja e KKSH në disa prej hallkave kryesore të tij, përbën një përvojë mjaft të mirë në eksperiencën e deritanishme që KKSH ka krijuar në përgatitjen dhe ndërhyrjen në raste katastrofash.

Koordinatori i Programit të Përgjigjes dhe Ndihmë të parë më komunitet

Fatos Xhengo

 

Ndajeni me miqte tuaj: