Në Selinë e Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH) u organizua sot, ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Kryqit të Kuq të Kosovës (KKK). Pas një historie suksesi bashkëpunimi në vite, shoqatat kanë rënë dakord që ta forcojnë këtë frymë bashkëpunimi në një marrëveshje dyvjecare, për periudhën 2017-2018.
Marrëveshja u nënshkrua nga Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Ylli Alushi dhe Presidenti i Kryqit të Kuq të Kosovës, z. Adem Nura. Këtë ceremoni e nderoi me pjesëmarrjen e tij dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.
Objekt i kësaj marrëveshje janë veprimtaritë humanitare të zhvilluara në fusha të ndryshme të veprimtarisë të të dyja shoqatave. Ky bashkëpunim synon pikësëpari të lehtësojnë ndihmën ndërkufitare për njerëzit e prekur nga katastrofat natyrore, konfliktet e armatosura apo krizat e ndryshme, me qëllim përmirësimin e nivelit të shërbimeve për të gjithë njerëzit në nevojë, nëpërmjet shkëmbimit të përvojësë.
Takime të rregullta të nivelin më të lartë të përfaqësuesve të governancës dhe të menaxhimit të dy shoqatave simotra; organizimi i veprimtarive të përbashkëta, ndërmjet të rinjve të KKSH dhe të KKK, për promovimin e vlerave humanitare, demonstrimin e teknikave të dhënies së Ndihmës së Parë, etj.; bashkëpunim dhe shkëmbim përvoje përvojë në fushën e menaxhimit të katastrofave, të ndihmës humanitare të ndërsjelltë, të mbështetjes psiko-sociale të të prekurve nga katastrofat dhe krizat humanitare; bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojës në fushën e shërbimit për emigrantët-refugjatët dhe Rivendojen e Lidhjeve Familjare; bashkëpunim dhe shkëmbim përvojë në fushën e Kujdesit Shëndetësor; Dhurimin Vullnetar të Gjakut, Ndihmën e Parë dhe Promocionin e një shëndeti të mirë; dhe më në fund bashkëpunim dhe shkëmbim përvojë në fushën e shërbimeve sociale dhe veprimtarive në lidhje me to, janë dhe drejtimet kryesore që kjo marrëveshje synon që të promovojë në shkallën më të lartë.
Përvoja e deritanishme e bashkëpunimit e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Kryqit të Kuq të Kosovës, është një garant për rezultatet që do të sjellë zbatimi i kësaj Marrëveshje.
Kryqi i Kuq Shqiptar