Konferenca ndërqeveritare për miratimin e Paktit botëror për një emigracion të sigurtë, të organizuar dhe të rregullt u organizua në Marakesh, në Marok në datat 10 dhe 11 dhjetor. Në konferencë morën pjesë 150 shtete të përfaqësuar deri në nivelet më të larta. Në konferencë mori pjesë dhe një delegacion i nivelit të lartë të Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) i drejtuar nga Presidenti i FNKK&GjK Z. Francesco Rocca dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës z. As.Sy.
Konferenca u organizua nën kujdesin e Asamblesë së Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nxitur nga Rezoluta 71/1 e 19 shtatorit 2016, të titulluar “Deklarata e Nju Jorkut për refugjatët dhe emigrantët” sipas së cilës Shtetet anëtare, angazhohen që të nisin një proces negociatash ndërqeveritare që duhet të çojnë në miratimin e një pakti botëror në këtë fushë. Modalitet e kësaj konference janë përcaktuar nga rezolutat 71/280 e 6 prillit 2017, 72/244 e 24 dhjetorit 2017 dhe 72/L.67 e 31 korrikut 2018.
Të hënën, datë 10.12.2018, u miratua Pakti Global për Emigracionin. Miratimi i këtij pakti është një fitore për ndërtimin e një kornize të re progresive të pikëpamjes botërore të asaj sesi shikohen emigrantët dhe mbrojtje e të drejtave themelore të njeriut.
“Ky moment është produkt frymëzues i përpjekjeve të realizuara me përkushtim dhe këmbëngulje. “Emigrimi është tashmë një fenomen i zakonshëm, … por ai duhet të jetë gjithmonë e më i menaxhueshëm dhe i sigurtë, dhe jo i parregullt dhe i rrezikshëm. Politikat vendore duhet të jenë të prirura gjithnjë e më shumë, drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.” tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, duke ju drejtuar përfaqësuesve të vendeve anëtare.
Pakti Global për Emigracionin synon të përmirësojë menaxhimin e emigrimit në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global, në mënyrë që të zvogëlojë rreziqet dhe vulnerabilitetin e emigrantëve.
Ky pakt krijon një kornizë jo ligjërisht të detyrueshëm dhe bashkëpunues, të ndërtuara mbi angazhimet e dakorduara nga shtetet anëtare në Deklaratën e Nju Jorkut për Refugjatët dhe Emigrantët të dhjetorit 2016.
Vetë pakti thotë “Asnjë vend nuk mund të zgjidhë sfidat dhe mundësitë e këtij fenomeni global … ne angazhohemi për të lehtësuar dhe siguruar emigrim të organizuar, të rregullt dhe të sigurtë”.
Pakti përcakton një kornizë bashkëpunimi ndërkombëtar mbi çështjet e emigracionit që duhet të punojë për të ndërmarrë veprime konkrete.
Pakti është mbi të gjitha një deklaratë që synon mbrojtjen e drejtave të njeriut të emigrantëve, duke trajtuar shkaqet thelbësore të emigrimit dhe luftuar mitet negative që kanë të bëjnë me emigracionin. Ai pranon se emigrimi është një çështje ndërkombëtare që prek të gjitha shtetet anëtare dhe si dhe nevojën për një menaxhim më efektiv të migracionit.
Bashkangjitur Deklarata e Presidentit Rocca në mbyllje të Konferencës.
Konferenca miratoi Paktin Global mbi emigracionin. Tani fillon puna. Tani më është koha që të angazhohem në një dialog të ri me qeveritë, në një erë të re ku të shohim respektimin e dinjitetit njerëzor. Boll kemi parë trupa të vdekurish nëpër rrugë, si rezultat i abuzimit, vuajtjeve, etj. Ne duhet të luftojmë për respektimin e dinjitetit njerëzor në botë.”