Komunikatë Shtypi
Gjenevë, 22 nëntor 2021
Gratë, njerëzit në përgjithësi në zonat urbane dhe personat në lëvizje janë prekur në mënyrë disproporcionale dhe të veçantë nga ndikimet shkatërruese socio-ekonomike të pandemisë COVID-19. Këto janë disa nga gjetjet e studimit të ri të publikuar sot nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK).
Në çdo vend të botës, pandemia e COVID-19 ka pasur ndikime të mëdha ekonomike. Studimi i ri i FNKK&GjK tregon gjithashtu shtrirjen e pasojave dytësore të pandemisë tek komunitetet dhe individët. Kjo krizë ka shkaktuar: rritje të papunësisë dhe varfërisë; rritje të pasigurisë ushqimore; cënueshmëri më të lartë ndaj dhunës dhe mundësi më të pakta arsimimi dhe mundësi më të pakta për fëmijët. Kriza gjithashtu, ka përkeqësuar problemet e shëndetit mendor.
Francesco Rocca, President i FNKK&GjK, ka thënë për këtë: “Studimi ynë tregon atë që kemi dyshuar dhe kemi pasur frikë prej kohësh, do me thënë faktin se pasojat dytësore shkatërruese të kësaj pandemie kanë dëmtuar strukturën e shoqërisë sonë dhe do të ndihen për vite në vijim, përse jo për dekada. Njerëzit që tashmë kanë qenë të kërcënuar për shkak të konflikteve, të ndryshimeve klimatike dhe të varfërisë, janë akoma më kërcënuese. Ndërkohë që shumë njerëz që kishin mundësi për të përballuar situatat, ndodhen tashmë të pambrojtur, dhe kanë nevojë për mbështetje humanitare për herë të parë në jetën e tyre.”
Studimi i ri ofron një pasqyrë globale, me fokus të veçantë në dhjetë vende: Afganistan, Kolumbi, El Salvador, Irak, Kenia, Liban, Filipine, Spanjë, Afrika e Jugut dhe Turqi. Në përgjithësi, gratë duke qene se janë ato që kanë pasur pasoja më të rënda në të ardhurat e tyre, janë dhe në rrezik më të madh ndaj COVID-19 për shkak të rolit të përkujdesjes ndaj të tjerëve, faktit se janë më të ekspozuara ndaj dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore, kanë përjetuar pasoja në shëndetin mendor në një shkallë më të lartë se burrat. Në zonat urbane, shkalla e varfërisë është rritur, në disa raste me një ritëm më të shpejtë se në zonat rurale. Njerëzit në lëvizje kishin më shumë gjasa të humbnin vendin e punës ose t’u shkurtoheshin orët gjatë pandemisë dhe janë lënë pas dore gjerësisht nga masat formale të mbrojtjes dhe atyre shëndetësore.
Për më tepër, mungesa e përgatitjes e ka bërë akoma më të vështirë për vendet që të ndërtojnë një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj asaj që është kthyer në një emergjencë për shëndetin publik, në një tronditje ekonomike globale dhe në një krizë politike dhe sociale.
“Duke qenë në vijën e parë të frontit, Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në mbarë globin, kanë qenë në gjendje të kapërcejnë boshllëqet në këtë përgjigje. Ato kanë një njohje të thellë për pabarazitë që ekzistojnë dhe për mënyrën se si ato përjetohen, dhe për këtë arsye janë ndër pozicionet më të mira për të ndihmuar njerëzit qw të rikuperojnw dëmet në jetesë, shëndetin dhe arsimimin e tyre. Por, për të vazhduar ta bëjnë këtë, ata do të kenë nevojë për më shumë mbështetje të konsiderueshme si financiare ashtu edhe politike.” vazhdon Rocca.
Raporti tregon gjithashtu se bota është në rrugën e duhur për një rikuperim jashtëzakonisht të pabarabartë, për pasojë të efikasitetit dhe të barazisë së programeve të vaksinimit.
“Ne, vazhdimisht kemi paralajmëruar se shpërndarja e pabarabartë e vaksinave jo vetëm që do të lejojë vazhdimin e niveleve të larta të transmetimit të sëmundjes, por se kjo pabarazi do të pengojë, zgjasë ose përkeqësojë akoma më shumë pasojat e kësaj pandemie. Ndërkohë që vazhdojmë të lejojmë që fitimet të venë poshtë njerëzimin dhe vendet më të pasura të vazhdojnë të monopolizojnë dozat e vaksinave, ne nuk do të mund të themi se kjo pandemi ka mbaruar.
“Bota duhet të hapë sytë, të ketë parasysh atë që po ndodh rreth saj dhe të kalojë nga fjalët në vepra. Nëse jo, ne përballemi me rrezikun që rikuperimi nga pandemia COVID-19 të jetë po aq i pabarabartë dhe i padrejtë sa edhe pasojat e vetë pandemisë”, përfundon Rocca.
Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe