Ndryshimet klimatike, në qendër të Strategjisë së re globale të FNKK&GjK

Nga punimet e Asamblesë së 22 të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, që po zhvillohet në Gjenevë

 

Gjenevë, 5 Dhjetor 2019 – Sipas strategjisë së re dhjetëvjeçare të miratuar sot nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) në Gjenevë, dëmet dhe rreziqet që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike janë ndër emergjencat kryesore humanitare që përball njerëzimi.
Ndryshimet klimatike u shfaq si një shqetësim në rritje në një konsultim të gjerë gjithëpërfshirës dy vjeçar, realizuar në rrjetin e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Një gjë e tillë çoi në hartimin e Strategjisë së re 2030 të FNKK&GjK. Ky diskutim theksoi faktin se, ndryshimet klimatike janë një shqetësim në rritje për pothuajse secilën nga 192 Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.
Duke folur në Asamblenë e 22-të të Përgjithshme të FNKK&GjK, që po zhvillohet aktualisht në Gjenevë, Presidenti i FNKK&GjK, z. Francesco Rocca, tha:
“Mesazhi nga anëtarët e Federatës dhe nga miliona vullnetarë në mbarë botën është më se i qartë : ndryshimet klimatike janë një kërcënim ekzistencial që tashmë po ndryshon plotësisht punën që ne bëjmë dhe jetën e njerëzve që ne mbështesim.
“Trajtimi i ndryshimeve klimatike do të jetë përparësia jonë kryesore në dekadat e ardhshme. Kjo nënkupton forcimin e aftësive të secilës Shoqatë Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, në mënyrë që ato të mund të reagojnë në mënyrë efektive në realitetet e tyre, dhe të investojnë shumë në metodat që përdorim për të ndihmuar komunitetet për t’u përshtatur.”
Strategjia 2030 i vendos “Ndryshimet klimatike dhe krizat mjedisore” në krye të një liste me pesë sfida globale që duhet të adresohen në dekadën e ardhshme. Sfidat e tjera të identifikuara në strategji janë “Zhvillimi i krizave dhe i katastrofave”; “Plotësimi i boshllëqeve në fushën shëndetësore dhe atyre jetësore”; “Emigracioni dhe identiteti”; dhe “vlerat, fuqia dhe përfshirja”.
Sekretari i Përgjithshëm i FNKK&GjK z. Elhadj As Sy, tha:
“Është e qartë se sistemi i sotëm humanitar ndërkombëtar do të duhet të transformohet në nj nivel të konsiderueshëm për të përballuar sfidat që lidhen me klimën. Strategjia 2030 është angazhimi i FNKK&GjK në këtë transformim, dhe për komunitetet në të cilat jetojmë dhe punojmë.”
Puna e FNKK&GjK për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike dhe krizave mjedisore do të kërkojë një përqendrim më të madh në identifikimin dhe adresimin e faktorëve të cënueshmërisë që tashmë janë të pleksura dhe me ndryshimet klimatike. Rrugët me anë të të cilave FNKK&GjK mund të zvogëlojnë këto ndikime – dhe madje t’i parandalojë ato plotësisht – përfshijnë forcimin e komunitetit, sistemet e paralajmërimit dhe të alarmit paraprak, veprimet paraprake, inovacionin dhe format e reja të financimit.
Strategjia 2030 e FNKK&GjK ka tre qëllime: “njerëzit parashikojnë, përgjigjen dhe rigjejnë vetveten nga krizat”; “njerëzit jetojnë nj jetë të sigurtë, të shëndetshëm dhe me dinjitet dhe kanë mundësi që të përparojë”, dhe “njerëzit mobilizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe paqësore në komunitete”.
Strategjia identifikon pesë sfida globale që janë : “krizat klimatike dhe mjedisore”; “zhvillimi i krizave dhe i katastrofave”; “rritja e mungesave në fushën e shëndetit dhe t mirëqenies; “migrimi dhe identiteti”; dhe “vlerat, fuqia dhe përfshirja”.
Për të adresuar këto sfida dhe për të arritur këto qëllime, do të nevojiten shtatë transformime që do të bëhen nëpërmjet FNKK&GjK, në “mbështetjen dhe n zhvillimin e Shoqatave Kombëtare si aktorë lokalë të fortë dhe efektivë”; në “nxitjen dhe mobilizimin e vullnetarizmit”; në “sigurimin e besimit dhe llogaridhënies”; në “në efektivitetin e punës në një rrjet të mjaft të gjerë dhe të shpërndarë”; në “ndikimin e veprimit humanitar”; në “kalimin drejt një transformimi dixhital”, dhe në “financimin e së ardhmes”.

Për më shumë rreth Strategjisë 2030 të FNKK&GjK në https:https://future-rcrc.com/

Ndajeni me miqte tuaj: