E themi shpesh në Kryqin e Kuq Shqiptar se programi për përballimin e situatave të emergjencave, është lokomotiva që tërheq të gjithë “vagonët” e tjerë, domethënë programet e tjera të shoqatës, gjatë situatave të jashtëzakonshme. Nuk ka se si të jetë ndryshe për një lëvizje që u krijua rreth 170 vjet më parë, për të dhënë kontribut në fushën e betejës dhe më pas, gjatë katastrofave të ndryshme. Për këtë qëllim Kryqi i Kuq Shqiptar ka punuar ndër vite që të krijojë ekipe dhe struktura me vullnetarë dhe profesionistë, si dhe të ngrejë kapacitete logjistike e materiale me qëllim menaxhimin e katastrofave në të katër fazat e zhvillimit të tyre: parandalimi, përgatitja dhe gatishmëria, përballimi dhe përgjigja dhe në fund, riaftësimi dhe rehabilitimi.
Në fazën e parandalimit është punuar për identifikimin e rreziqeve potenciale që kërcënojnë zona të caktuara dhe të gjendjes së vulnerabilitetit të komuniteteve në këto zona. Në këtë kuadër janë marrë masa dhe janë kryer aktivitete që shërbejnë për të eliminuar ose zvogëluar rreziqet dhe ndikimin e mundshëm të tyre në komunitet. Bëhet fjalë për aktivitete të tilla si transmetim njohurish në komunitet (shkolla, institucione), për masat si veprohet para, gjatë dhe pas katastrofave të ndryshme, transmetim njohurish për ndihmën e parë, për shëndetin në komunitet gjatë emergjencave etj.
Në fazën e dytë, atë të përgatitjes dhe të gatishmërisë kemi punuar për ngritjen e ekipeve vullnetare në degë, për trajnimin e tyre me njohuritë bazë për mënyrën se si të ndihmojnë njerëzit në vështirësi apo komunitetet në nevojë, për ruajtjen dhe forcimin e kapaciteteve materiale dhe logjistike të shoqatës për t’u përdorur në rast katastrofe etj.
Në fazën e përballimit dhe të përgjigjes, shoqata zhvillon Operacione për Emergjencën e ndodhur, duke mobilizuar stafin dhe ekipet vullnetare në Seli dhe degë, si dhe mjetet logjistike e materiale për të ndërmarrë veprimet e duhura reaguese për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe për të ndihmuar me ndihma materiale, ushqimore e higjienike, popullsinë e prekur.
Në fazën e riaftësimit, Kryqi i Kuq Shqiptar mbështet familjet apo komunitetet më në nevojë, për t’u kthyer në normalitet, duke vazhduar shpërndarjen e ndihmave materiale, duke ofruar shërbime sociale, mbështetje psikosociale etj.
Katastrofat natyrore, krizat, aksidentet apo dhe incidentet e tjera rastësore, mund të ndodhin kudo e në çdo kohë, duke shkaktuar të lënduar, të sëmurë apo të traumatizuar. Në këto raste ndihma e menjëhershme varet shpesh nga njerëzit me të cilët rrethohemi në jetën e përditshme, pjesëtarë të familjes, kolegë, por sigurisht edhe nga dhënësit e ndihmës së parë në komunitet apo ekipet e urgjencës që ndodhen më pranë ngjarjes. Në këto situata çdokush mund të japë ndihmën e nevojshme, mjaft që të zotërojë njohuritë e duhura për të kontribuuar në mënyrë të përshtatshme me teknikat e ndihmës së parë. Jeta e njeriut është e çmuar, por nuk mjafton vetëm dëshira e mirë që ndihma të jetë efikase dhe e dobishme për të lënduarin apo të sëmurin; është po aq e rëndësishme që ndihma e nevojshme të jepet shpejt dhe në mënyrë korrekte, pasi gabimet mund të rezultojnë fatale.
Në këtë kontekst, ajo që e ka shqetësuar veçanërisht shoqatën, ka qenë niveli i aftësisë së ekipeve tona për të vepruar dhe ndihmuar viktimat e fatkeqësive drejtpërsëdrejti në zonën e rrezikut. Për të qenë më efektivë dhe më të vlefshëm, sidomos në rastin e katastrofave të mëdha me shumë viktima dhe të lënduar, lipset që strukturat vullnetare në degë dhe në seli, të jenë të trajnuar me njohuri më të avancuara, më bashkëkohore, veçanërisht për dhënien e ndihmës së parë, për të reaguar në mënyrë më profesionale kur është fjala për të shpëtuar jetë, njësoj si shoqata të tjera simotra në rajon dhe në botë, që janë më të specializuar se ne, në shërbimet e tyre me ekipet e ndërhyrjes gjatë rasteve të katastrofave.
Pas një kërkese që iu bëmë kolegëve të Kryqit të Kuq Austriak në lidhje me këtë problem, patëm mbështetjen e plotë të tyre dhe së bashku, ndërtuam një projekt për të kaluar nga niveli i njohurive bazë për ndihmën e parë, në atë që quhet ndihma e parë e avancuar, të cilën e mbështeti financiarisht Agjencia Austriake për Zhvillim. Me këtë projekt, i cili filloi zyrtarisht në korrik 2021, synojmë që të aftësojmë skuadrat e përgjigjes për raste katastrofash në degë, si dhe rrjetin e vullnetarëve të shoqatës, me njohuri më profesionale për ndihmën e parë. Kjo fillimisht po bëhet në 9 degë dhe mandej do të shtrihet në të gjitha degët e tjera.
- Ndihma e Parë e Avancuar ofron një përmbledhje të metodave për vlerësimin e pacientit, (i plagosur apo i sëmurë), si dhe mënyrën e përdorimit të pajisjeve bazë të kujdesit në urgjenca mjekësore. Temat kryesore të saj kanë të bëjnë me urgjencat mjekësore, emergjencat e traumës, emergjencat neurologjike dhe endokrine. Ato japin një përmbledhje të shkurtër të anatomisë dhe të fiziologjisë së trupit të njeriut, të nevojshme për të kuptuar dhe trajtuar urgjencat si dhe teknikat e ndërhyrjes që duke siguruar veten, të ndihmohen të tjerët. Një element i rëndësishëm këtu ka të bëjë me vlerësimin fillestar të pacientit, një vlerësim nëpërmjet metodologjisë që siguron që asnjë hap të mos harrohet, asnjë simptomë të mos anashkalohet dhe të mos nxitohet në nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare, pa u vlerësuar e gjithë situata dhe pacienti.
Praktikimi sa më i shpeshtë i teknikave të ndihmës së parë të avancuar, është thelbësor për njohjen e saktë të tyre. Gjatë dhënies së ndihmës së parë të avancuar përdoren edhe disa mjete bazë siç janë aparati thithës i lëvizshëm (për të larguar lëngjet nga goja e pacientit), maska e xhepit (për frymëshkëmbimet artificiale); maska e frymëshkëmbimit manual (për ventilimin manual të të rriturve); barela lugë (e cila vendoset më lehtë poshtë pacientit dhe mundëson zhvendosjen e tij), dysheku me vakum (për të imobilizuar pacientin pas traumave të rënda të shpinës dhe kokës); qaforja (pajisje për imobilizimin e qafës) etj.
Jemi mirënjohës që një projekt të tillë po e zhvillojmë përsëri me Kryqin e Kuq Austriak, me të cilin e patëm filluar për herë të parë punën e shoqatës tonë në fushën e ndihmës së parë që në vitin 1994. Atëherë bashkëpunuam për zbatimin e projektit për ndihmën e parë bazë, me njohuri të vlefshme për të gjithë publikun. Sot po kalojmë në një fazë të re, duke punuar për zbatimin e një projekti që do ta bëjë më profesionale, përgjigjen e Kryqit të Kuq Shqiptar në raste katastrofash, nëpërmjet ekipeve të formuara me njohuri të ndihmës së parë të avancuar.
Fatos Xhengo
- Koordinator i Programit për përgatitje dhe përgjigje në raste katastrofash dhe ndihmën e parë në komunitet.