Në 9 shtator i këtij viti, (e shtuna e dytë e muajit), shënon Ditën Botërore të Ndihmës së Parë, një mundësi e përvitshme kjo për të rritur ndërgjegjësimin për domosdoshmërinë e njohurive të ndihmës së parë si një mundësi për të shpëtuar jetë, por dhe një moment për të treguar që kjo është plotësisht e mundshme për të gjithë.
Miliona njerëz në botë janë lënduar ose kanë vdekur çdo vit për shkak të mungesës së ndihmës së parë në kohë apo reagimit jo korrekt në momentin e dhënies së ndihmës. Kështu ka ndodhur dhe në vendin tonë.
Ndihma e Parë është një hap jetik fillestar në sigurimin e një veprimi të shpejtë dhe efektiv që ndihmon në uljen e lëndimeve të rënda dhe rritjen e mundësive për të mbijetuar. Ndihma e Parë në kohën dhe në mënyrën e duhur, shpëton jetë.
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&Gjk) është rrejti më i gjerë dhe ofruesi kryesor i ndihmës së parë në botë. Prej më shumë se 100 vjet, ndihma e parë ka qenë dhe është një nga shërbimet kryesore të ofruara nga vullnetarët dhe stafi i shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në mbarë botën.
“Kryqi i kuq Shqiptar është angazhuar në Programin e Ndihmës së Parë që me riorganizimin e tij në vitin 1991, duke rritur hap pas hapi kapacitete e tija vepruese në këtë fushë nëpërmjet trajnimit të vullnetarëve dhe të instruktorë, duke dhënë ndihmesën e tij personave të prekur gjatë aksidenteve apo katastrofave të ndodhura gjatë viteve në vendin tonë. Ne besojmë se Ndihma e Parë është një shtyllë thelbësore në krijimin e komuniteteve më të sigurta në drejtim të ekspozimit gjithnjë e më të vogël ndaj rreziqeve dhe rritjen e gatishmërisë së indidividit. Ndihma e parë është një faktor i rëndësishëm për rikthimin në normalitet të komuniteteve të prekura nga katastrofat e ndryshme.
Tema e këtij viti, për Ditën Botërore të Ndihmës së Parë është “Aksidentet në kushtet e shtëpisë”, dhe i referohen të gjitha ngjarjeve të papritura që mund të ndodhin në kushtet e shtëpisë, dhe mund të shkaktojnë lëndime, plagosje, pse dhe jo dhe vdekje.
Kryqi i Kuq Shqiptar dëshiron të rrisë vetëdijen e gjithësecilit për rreziqet e mundshme me të cilat mund të përballet në mjediset e shtëpisë, si dhe për hapat e thjeshtë që njerëzit mund të ndërmarrin për të përballuar situata të tilla të përditshme emergjente.