Sot shoqëria ka si strategji dhe objektiv themelor ndërtimin dhe krijimin e komuniteteve sa më të sigurta dhe rrezistente, të gatshme dhe të përgatitura për ndihmë dhe shpëtim jete. Të dëshirojmë të ndihmojmë dhe të na ndihmojnë në vështirësi e tragjedi, është pra shumë e kuptueshme, por në se për këtë ndihmë nuk kemi menduar e mësuar si jepet më përpara, atëherë para nesh do të shfaqet paniku dhe vetë tragjedia. Pikërisht për të mos përjetuar këto situata të pakëndshme, shërbejnë njohuritë e ndihmës së parë. Të japësh ndihmën e parë është e lehtë pasi nuk duhen aparatura, por duhen mësuar vetëm teknikat e dhënies së ndihmës së parë saktë dhe korrekte.
Për shembull një nga shkaqet më të zakonshme që sjellin humbjen e jetës është:
– mungesa e furnizimit me oksigjen që shkaktohet nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, e cila brenda 4 minutave çon në vdekje. Shumë njerëz do të vdesin nëse askush nuk do të dijë t’u ngrejë kokën në pozicionin e duhur për të hapur rrugët e furnizimit me oksigjen.
– ose mjaft të tjerë mund të mbeten invalidë të përjetshëm në se nuk do të nxirren nga makina në mënyrën e duhur apo nëse nuk do të transportohen ose lëvizen nga vendi i aksidentit përsëri me mënyrën e duhur.
– gjithashtu nëse do të nënvleftësojmë kushtet ku jemi duke mos ditur si largohet rreziku, mund të shndërrohemi në viktima ose të shkaktojmë viktima të reja.
Ndihma e parë është themelore dhe vendimtare në momentet fillestare dhe kur ajo nuk jepet si duhet, rezultati është fatal. Imagjinoni një viktimë me disa plagë që rrjedhin gjak në një aksident rrugor nëse asnjë nuk ushtron presion në plagë për të frenuar gjakrrjedhjen; në një rast të tillë edhe urgjenca më e shpejtë dhe më e sofistikuar në botë do të arrijë në vend vetëm për të vërtetuar vdekjen. Pra është shumë e rëndësishme të dimë që njohuritë e ndihmës së parë janë të nevojshme dhe të domosdoshme pavarësisht nga niveli i zhvillimit të vendi.
Ndihma e parë duhet të konsiderohet jo si një alternativë për të ndërhyrë në shërbimin e urgjencave, por si një shkallë e parë jetësore për të ofruar një ndërhyrje të shpejtë dhe efektive. Ndihma e parë e menjëhershme mund të kontribuojë për të ulur shkallën e dëmtimit dhe për të rritur shanset për mbi jetesë. Marrja e veprimit të menjëhershëm dhe duke aplikuar një ndihmë të duhur gjatë minutave të para kritike, mund të bëjnë ndryshime në shpëtimin e jetës.
Ndihma e parë është një përgjegjësi primare qytetare dhe për këtë qytetarët duhet të zhvillojnë mjeshtërinë e dhënies së ndihmës së parë. Vetëm kështu mund të ndihmojnë të tjerët. Trajnimi për ndihmën e parë është një investim për të ndihmuar individët dhe komunitetin që janë dëmtuar.
Çfarë është trajnimi i ndihmës së parë?
Ky është një program i aprovuar për njohuritë, procedurat dhe teknikat e dhënies së ndihmës së parë. Secili kandidat që trajnohet për ndihmën e parë, duhet të pajiset me një certifikatë të vlefshme për ndihmën e parë për pesë vjet.
Në kuadrin e trajnimeve të ndihmës së parë, pjesëmarrësit duhet të përgatiten me kujdes dhe vëmendje për t’u bërë ballë situatave traumatike, në mënyrën e duhur në favor të dhënies së ndihmës. Formimin me këto njohuri duhet parë si një investim me mjaft përfitim, pasi ndërhyrja efikase dhe në kohën e duhur eviton dëmtimet e rënda të cilat duan trajtim mjekësor për një kohë të gjatë dhe që janë kosto si për individin, edhe shtetet. Për shembull kur të gjithë shoferët dhe sa më shumë njerëz do të mësojnë se si të parandalojnë aksidentet rrugore dhe çfarë duhet të bëjnë për të ndihmuar viktimat e një aksidenti, aq më shumë jetë njerëzish do të shpëtohen.
Aksidentet ndodhin kudo e kurdoherë, në rrugë, punë, shtëpi, në vende ku zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive, festime, madje edhe në piknikë apo në vende çlodhëse. Programi ndihmës së parë në KKSH, shtrihet në të gjithë gjerësinë e jetës aktive dhe për këtë bëjmë edhe trajnime me tema specifike dhe programe të përshtatura, të kërkuara nga firmat e kompanitë private apo shoqatat e ndryshme.