Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH) që në fillim të konfliktit në Ukrainë ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e situatës, sidomos pasojat tragjike mbi popullsinë civile, të vrarë, të plagosur dhe miliona njerëz të zhvendosur, brënda dhe jashtë vendit. KKSH si pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, u solidarizua me punën vetëmohuese të kolegëve tanë të Kryqit të Kuq të Ukrainës si dhe të komponentëve të tjerë të Lëvizjes të përfshirë në operacionet emergjente në terren.
Në këtë kuadër Kryqi i Kuq Shqiptar që në ditëtë e para të konfliktit, lançoi një fushatë publike për mbledhje fondesh në mbështetje të Kryqit të Kuq të Ukrainës, për t’i ardhur në ndihmë popullsisë civile të prekur nga luftimet. Gjatë fushatës u angazhuan të gjitha kapacitetet njerëzore, staf dhe vullnetarë në të gjitha degët e shoqatës në mbarë vendin, të cilët sensibilizuan komunitetet për të dhuruar vlera monetare.
Në perfundim të kësaj fushate fondet e grumbulluara nga individë, biznese e institucione të ndryshme arritën në shumën e 30.000 USD. Kjo shumë u transferua direkt në llogarinë bankare të Kryqit të Kuq të Ukrainës të hapur për këtë qëllim, për të përmbushur misionin e tij humanitar në ndihmë të popullsisë civile të prekur nga ky konflikt.
Ndërkohë nga fondet e veta rezervë të Kryqit të Kuq Shqiptar u dhurua një shumë tjetër prej 20.000 USD në përgjigje të Apelit të Ndihmës që Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe lëshoi për të ndihmuar Ukrainën dhe vendet e tjera rreth saj, të prekura nga konflikti.
Kontributi i Kryqit të Kuq Shqiptar edhe pse modest në raport me nevojat është shenjë e simpatisë dhe shprehje e humanizmit të qytetarëve shqiptarë për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve të prekur nga ky konflikt i tmerrshëm.
Për më shumë informacion, kontaktoni :
me Andi Mujollari, Koordinator i Marrëdhënieve me publikun dhe/ose
Fatos Xhengo, Koordinator i Programit për raste katastrofash